'Rritja e pazareve bllokon arritjen e koalicionit'

Pavarësisht se ishin zotuar se do ta nënshkruajnë koalicionin qeverisës menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ndasitë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila po kërkon pozitën e presidentit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk po pranon kushtëzime të tilla, dita-ditës po thellohen. Teksa negociatat mes dy partive mbeten të bllokuara, partitë nuk kanë caktuar ende datë për vazhdimin e tyre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, për “Zërin” ka thënë se rritja e pazareve ka bërë që negociatat mes LDK-së dhe LVV-së të bllokohen.

Ndonëse ka thënë se arritja e koalicionit është e pashmangshme, sipas tij kushtëzimet e LDK-së për postin e presidentit janë të padrejta.

“Koalicioni duhet të arrihet, sepse nuk ka zgjidhje tjetër, kjo të paktën duke u bazuar në deklarimet publike të të dyja partive politike, se ato do të bëjnë koalicion vetëm me njëra-tjetrën dhe jo me partitë tjera. Natyrisht se faza e arritjes së marrëveshjes është e vështirë, sepse secila palë fiton të përfitojë sa më shumë. Unë nuk e shoh shumë të drejtë dhe morale kushtëzimin e LDK-së për postin e presidentit, për shkak se kjo është një çështje për të cilën palët mund të merren vesh që të diskutohet më tej, ka ende kohë për t’u marrë vesh se kë dëshirojnë ta zgjedhin president”, ka thënë ai.

Pavarësisht bllokadës së krijuar mes partive, Mushkolaj vlerëson se duhet të gjendet zgjidhje për mosmarrëveshjet e krijuara. Kësisoj nëse koalicioni dështon për çfarëdo arsye, Mushkolaj ka thënë se faji për këtë do t’i mbetet pikërisht LDK-së, shkruan tutje "Zëri".

“Pavarësisht ngërçit të krijuar ekzistojnë zgjidhje, thjesht duhet të merren vesh për ndarjen e ministrive dhe për postin e presidentit të diskutojnë në një kohë tjetër. Mirëpo natyrisht se tashmë dy partitë politike e rritin pazarin dhe vjen një situatë kur bllokohen negociatat, por unë besoj se do të zhbllokohen shumë shpejt, sepse nuk ka zgjidhje tjetër dhe në këtë situatë më së shumti është LDK-ja ajo që humb, sepse pavarësisht se LVV-ja e ka përgjegjësinë ta formojë koalicionin qeverisës, në opinionin publik LDK-ja konsiderohet se është fajtore në rast të dështimit eventual të koalicionit”, ka shtuar tutje ai./ZËRI