Qyteti i Mitrovicës, futbolli mitrovicas, rinovimi i 'Adem Jasharit' - Arbër Zeneli rrëfehet në këtë mënyrë
Nuk ka asnjë dyshim se Arbër Zeneli ka qenë mungesa më e madhe e Përfaqësueses së Kosovës në muajt e fundit.
Futbollisti nga Mitrovica u lëndua në ndeshjen eliminatore për ‘Euro 2020’ mes Malit të Zi dhe Kosovës në muajin qershor, dhe në fushën e gjelbër pritet të kthehet në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan Zëri.info.
Zeneli kishte ardhur në Kosovës gjatë fundjavës për ta mbështetur Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjen e fundit eliminatore për ‘Euro 2020’ kundër Anglisë.
Por, ai kishte shfrytëzuar rastin ta vizitonte edhe vendlindjen e tij Mitrovicën.
Në një intervistë për ‘MitroSport’, Zeneli ka folur edhe për qytetin e Mitrovicës, por që ka bërë me dije se mund të punohet më shumë.
“Qyteti ka ndryshuar pak, por nevojitet edhe më shumë punë dhe shpresoj se do të punohet edhe më shumë, pasi ky qytet vlerësohet shumë”, ka thënë fillimisht Arbër Zeneli, përcjell Zëri.info.
Tutje, futbollisti i Reims ka folur edhe për futbollin mitrovicas.
“Nuk kam shumë informata për futbollin e Mitrovicës, por e di që futbollin vlerësohet shumë këtu dhe e di se populli na mbështet kudo që jemi me Përfaqësuesen”, theksoi Zeneli.
Gjithashtu, Zeneli ka folur edhe për shumën prej 12 milionë eurosh që pritet të investohet te stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.
“Ëndërr që e kam pasur unë është të luaja me Kosovën, por nëse vjen rasti të luaj në Mitrovicë do të ishte edhe më mirë sepse këtu i kam prindërit. Do të ishte gjë e mirë”, u shpreh Zeneli.
“Për momentin jemi në ‘Fadil Vokrri’ dhe aty është mjaft mirë”, shtoi futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin 2018./Zëri.info