Albin Kurti sërish në tribunat lindore të 'Fadil Vokrrit', ka këtë mesazh para ndeshjes Kosovë - Angli

Albin Kurti ka arritur më në fund në stadiumin 'Fadil Vokrri'.

Kandidati për kryeministër do të ulet sonte në tribunat e lindjes në 'Fadil Vokrri për ndeshjen Kosovë - Angli, raporton Zëri.info.

"Më lart se kaq nuk është e mundur, sepse Anglia e Franca sot janë dy kombëtaret më të mira në botë. Njërën e pret Kosova, kurse tjetrën e pret Shqipëria. Rezultati në Prishtinë e ndihmon atë në Tiranë. Ju përshëndes nga tribunat e Lindjes në "Fadil Vokrri". FORCA!", ka shkruar Kurti.

Kosova do të luajë ndaj ish-kampionit të Botës, Kombëtares së Anglisë e cila ka zbarkuar në kryeqytetin kosovar.

Edhe pse gjasat për kualifikim më nuk ekzistojnë, trajneri Bernard Challandes ka bërë të ditur se Kosova do të futet në fushë për ta fituar ndeshjen në mënyrë që të grumbullojmë sa më shumë pikë.

Për të njëjtin qëllim, që ta fitojnë ndeshjen vijnë edhe anglezët, por mbetet të shihet nëse do të thyhet Kosova në stadiumin "Fadil Vokrri", ku ende nuk kanë pësuar humbje.

Anglezët janë favoritë për ta fituar takimin, por Dardanët kanë treguar edhe në Angli se nuk janë inferiorë as ndaj tyre dhe as ndaj asnjë kundërshtari me të cilin janë përballur në këto kualifikuese.

Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm dhe stadiumi Fadil Vokrri si gjithmonë pritet të jetë i stërmbushur.

Ky takim pritet të fillojë me fillim nga ora 18:00. /Zëri.info