Mikrogrimcat e veturave mund ta shkaktojnë kancer në tru

Për herë të parë, në një studim të ri thuhet se mikrogrimcat që lirohen në ajër nga veturat mund të jenë të lidhura me krijimin e kancerit në tru.

Këto grimca shumë të vogla krijohen gjatë djegies së karburantit, sidomos gjatë djegies së naftës. Ekzpozimi i lartë ndaj tyre e rrit rrezikun që njerëzit të sëmuren me këtë formë vdekjeprurëse të kancerit. Në studimet e mëparshme është vërtetuar se mikrogrimcat mund të depërtojnë në tru dhe të bartin materie kimike kancerogjene.

Kanceri i trurit është i rrallë dhe shkencëtarët kanë vlerësuar se ekspozimi nga një rrugë e qetë në një rrugë të ngarkuar do të sjellë një rast më shumë në çdo 100 mijë persona.

“Rreziqet mjedisore, siç është ndotja e ajrit, nuk kanë shkallë të lartë, por rreziku i tyre rritet për shkak se të gjithë janë të përfshirë nga ndotja”, tha Scott Weichenthal nga Universiteti i McGill-it në Kanada, i cili e udhëhoqi këtë studim.

“Kur i shumëzoni këto rreziqe të vogla me numrin e madh të njerëzve, krejt papritmas vijnë shumë raste të reja. Në një qytet të madh, numri do të mund të ishte i konsiderueshëm, sidomos kur e marrim parasysh faktin që këto tumore shpesh janë fatale”, shtoi profesori kanadez.

Në këtë hulumtim u analizuan të dhënat mjekësore dhe ekspozimi ndaj ndotjes i 1.9 milionë kanadezëve të rritur nga viti 1991 deri në vitin 2016. Profesori Weichenthal tha se ndërlidhja mes kancerit të trurit dhe mikrogrimcave te kjo popullsi ishte befasisht e qëndrueshme.

Ndryshe, sipas studimeve të mëhershme të këtij viti, ndotja e ajrit mund ta dëmtojë secilin organ të njeriut dhe rrjedhimisht secilën qelinë në trupin tonë, shkruan “The Guardian/ Express.