Ecja e ngadaltë e LVV - LDK-së për marrëveshjen finale

LVV-ja dhe LDK-ja janë duke i vazhduar diskutimet në kuadër të grupeve punuese, por krerët e këtyre dy subjekteve nuk janë takuar prej 10 tetorit. Deri tash palët janë dakorduar vetëm për zvogëlim të numrit të ministrive dhe për disa çështje ekonomike. Si rrjedhojë e kësaj vlerësohet se LVV-LDK-ja janë duke ecur ngadalë drejt harmonizimit të programit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

LVV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar katër takime prejse kanë përfunduar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Takimi i parë është zhvilluar mes liderëve të partive, kurse tre të tjerët ndërmjet grupeve punuese të të dyja subjekteve.

Por palët deri më tash kanë rënë në ujdi vetëm për zvogëlimin e numrit të ministrive, si dhe për disa çështje ekonomike, rreth të cilave nuk janë dhënë hollësi.

Dakordimi për zvogëlim të numrit të dikastereve qeveritare është përsëritur thuajse pas secilit takim të zhvilluar mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Duke u nisur nga këto, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se palët janë duke ecur me hapa të ngadaltë sa i përket bashkërendimit të qëndrimeve rreth programit qeverisës, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Këto dy subjekte, sipas tyre, paqartësitë më të mëdha vazhdojnë t’i kenë rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Megjithëkëtë, zyrtarë të Vetëvendosjes dhe të LDK-së kanë thënë se deri tash i kanë bashkërenduar në mënyrë të konsiderueshme qëndrimet. Ata me këtë rast janë zotuar për formim të shpejtë të qeverisë së re.

LVV - LDK: S’do të ketë vonesa në formim të Qeverisë

Pavarësisht faktit që ende nuk janë dakorduar për shumë tema, zyrtarë të LVV-së dhe të LDK-së janë zotuar se nuk do të ketë zvarritje në formimin e qeverisë së re. Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se menjëherë pas certifikimit të rezultateve do të veprohet drejt krijimit të Qeverisë.

Në kuadër të kësaj ajo është shprehur optimiste se qeveria e ardhshme do të formohet gjatë muajit nëntor.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka përjashtuar vonesat. Hoti tutje ka pohuar se LVV-LDK-ja deri më tash kanë arritur dakordim vetëm për zvogëlim të numrit të ministrive dhe për disa çështje ekonomike.

“Deri më tani jemi pajtuar për madhësinë dhe për organizimin e Qeverisë, e cila do t’i ketë vetëm 12 ministri, që do të kursejë miliona euro dhe do të rrisë efikasitetin e qeverisjes. Kemi diskutuar në detaje programin për zhvillim ekonomik e punësim dhe jemi pajtuar për shumicën e çështjeve”, ka theksuar Hoti.

Më 7 nëntor - takimi i fundit mes grupeve punuese

Grupet punuese të dy partive, të cilat janë caktuar për harmonizim të programeve, kanë zhvilluar takimin e tretë para dy ditësh.

Teksa ka treguar se kur do të përfundojnë takimet e grupeve punuese, Arbërie Nagavci, nga LVV-ja, ka thënë se mes dy partive është arritur një harmonizim i konsiderueshëm i qëndrimeve.

“Deri më tani ka pasur një përafrim të konsiderueshëm për çështjet e rëndësishme, ka pasur një dakordim për numrin e ministrive dhe për disa çështje. Janë planifikuar gjithsej katër takime të grupeve punuese, presim që më datën 7 nëntor të përfundojnë tërësisht këto takime të grupeve, pastaj do të ketë një finalizim të marrëveshjes në mes kryetarit Kurti dhe atij Mustafa”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

E pyetur se kur do të ketë takim mes krerëve të subjekteve, Nagavci ka thënë se takimet mes liderit të LVV-së Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafës do të zhvillohen edhe gjatë këtij muaji edhe gjatë muajit të ardhshëm, porse marrëveshja finale do të ndodhë pas përfundimit të diskutimeve mes grupeve punuese.

Ndërkohë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se qëndrimet mes LDK-së dhe LVV-së janë bashkërenduar në mënyrë të kënaqshme.

“Deri tash janë bashkërenduar mirë. Tash e tutje vazhdojmë sipas agjendës”, ka deklaruar ai për gazetën. Posa të certifikohen rezultatet, Haziri ka thënë se nuk do të ketë asnjë vonesë sa i përket formimit të Qeverisë.

Dialogu, pika kyçe e mospajtimit LVV - LDK

Ndonëse diskutimet mes LVV-së dhe LDK-së janë duke vazhduar në kuadër të grupeve punuese, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se këto dy subjekte nuk janë duke ecur sa duhet në harmonizimin e qëndrimeve.

“Deklarimet se janë dakorduar që qeveria e ardhshme t’i ketë 12 ministri kanë qenë të vetmet informata, të cilat kanë dalë nga këto takime. Në një mënyrë unë po e shoh që këto takime janë pak të ngadalshme në aspektin e harmonizimit të programeve e të qëndrimeve të këtyre dy subjekteve”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj.

Sipas Demhasajt, LVV-ja dhe LDK-ja paqartësitë më të mëdha vazhdojnë t’i kenë rreth procesit të dialogut me Serbinë.

“Nuk e shoh një qartësim të këtyre dy subjekteve në aspektin e dialogut. Mendoj se ka shumë për t’u folur në këtë drejtim, sepse çështja kryesore vazhdon të mbetet dialogu, për çka këto dy subjekte akoma nuk kanë arritur ta gjejnë një gjuhë të përbashkët”, është shprehur drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” Arton Demhasaj.

Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kritikuar palët për zvarritje. Teksa ka folur rreth insistimit të LVV-së për t’i numëruar votat e diasporës që kanë ardhur me vonesë në Kosovë, Kryeziu ka thënë se duket sikur LVV-ja qëllimisht po kërkon shtyrje të certifikimit të rezultateve.

“Vetëvendosja ka mjaftueshëm njerëz që e lexojnë dhe e interpretojnë ligjin, prandaj ankimimi i saj për votat e diasporës më shumë sesa angazhim për të drejtën e votës duket si zvarritje e qëllimshme e certifikimit të rezultateve”, ka deklaruar Kryeziu.

Haziri, pjesë e negociatave me LVV-në

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili në vazhdimësi ka kritikuar LVV-në, tash e tutje do të jetë pjesë e negociatave Vetëvendosje – LDK.

Një vendim të tillë e ka marrë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, megjithëkëtë ai ka mohuar se Haziri ka marrë ndonjë pozitë drejtuese në dialogun me LVV-në.

“LDK-ja nuk ka bërë emërime të veçanta për drejtues të dialogut, por unë si kryetar përfaqësoj LDK-në dhe caktoj përfaqësuesit tanë në këtë proces. Deri tani, kryesisht janë marrë Avdullah Hoti dhe Lumir Avdixhiku, të cilët janë anëtarë të Kryesisë dhe kanë punuar drejtpërsëdrejti në program. Tani e kam vlerësuar të arsyeshme që të kyçet edhe Lutfi Haziri si nënkryetar i LDK-së”, ka deklaruar Mustafa.

Lutfi Haziri disa herë kishte dalë me deklarata kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe kundër liderit të këtij subjekti Albin Kurti. Gjatë fushatës zgjedhore Haziri ndër të tjera e kishte krahasuar Kurtin edhe me komikun Mr.Bean.

Teksa pati arsyetuar këtë deklaratë, Haziri pati thënë se Kurti i ka manipuluar qytetarët.

“Mr. Bean po vazhdon të sillet njëjtë, duke ndërtuar kauza mandej duke u tërhequr nga kauzat e veta. Unë e kam parë si sinonim, por lidhet me tërheqjen nga çdo kauzë që e ka filluar. Ai është duke manipuluar me qytetarët e Kosovës”, qe shprehur ai.

Megjithëkëtë teksa ka folur rreth përfshirjes së Hazirit në bisedimet LVV - LDK, nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka thënë se ai nuk duhet të mbajë përgjegjësi penale, pavarësisht faktit që ka qenë shtytës i mosbashkëpunimit të këtyre dy subjekteve.

“Lutfi Haziri mund të ketë qenë si personi shtytës për mosarritjen e këtij koalicioni, por nuk është se tash ai duhet të mbajë përgjegjësi penale për ato deklarata ose qëndrime. Ai ka qenë qëndrim i tij politik. Ne kemi respektuar qëndrimet e LDK-së për të shkuar të vetëm në zgjedhje”, ka potencuar Konjufca.

Në diskutimet që janë zhvilluar në takimin e fundit, ku pjesë e tij ka qenë edhe Haziri, Konjufca ka thënë se ai ka qenë konstruktiv në bisedimet që janë zhvilluar.