'Shfaqja e fundit e Marie Gjonit', sonte në TKK
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës sonte jepet premiera e shfaqjes "Shfaqja e fundit e Marie Gjonit", nga Veton Surroi, në regji të Andras Urbanit. Asistent regjie në këtë shfaqje është Imer Mushkolaj, kurse dramaturg Jeton Neziraj. Reprizat e para kjo shfaqje do t’i ketë më 29 dhe më 31 tetor, shkruan sot gazeta "Zëri".
Shfaqja tregon se si një drejtues i partisë komuniste dhe një primadonë e teatrit janë kapur në një marrëdhënie dashurie, që u mbijeton sfidave edhe pasi që ai dëbohet dhe izolohet nga politika, angazhimi në negociata përmes policisë sekrete serbe për të ndaluar luftën në Kosovë, mbikëqyrja e tij nga ana e një familjeje kosovarësh, informatorë të policisë dhe në fund vetë lufta. Një perspektivë historike e Kosovës jepet përmes përfaqësimit të familjes së informatorëve, që brez pas brezi i shërbejnë çdo regjimi - mbretërisë serbe, fashiste, italiane, naziste, komunistëve serbë, komunistëve shqiptarë të Kosovës e deri më sot. “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” sjellë së bashku tragjiken dhe komiken në një tregim, që përpiqet të kuptojë djallëzinë njerëzore, si dhe dashurinë e pakushtëzuar. Përdorimi i djallëzisë njerëzore shpjegohet gjithnjë me arsyetimin "për qëllime madhore" (të tilla si feja, përkatësia etnike, shteti), me fokus te gjykimi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, në të cilën udhëheqësi i partisë komuniste është dëshmitar kryesor. Dashurinë e pakushtëzuar mbetet që Marie Gjoni, primadona, ta shpjegojë.
Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten aktorët: Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi. Zëri