Superliga e Kosovës: Ndryshime në renditjen tabelore pas fitores së Dritës dhe FC Prishtinës
Në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll, në mesditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshje tejet interesante.
Në xhiron e dhjetë të kampionatit elitar në Kosovë, Drita ka mposhtur Ballkanin në kryendeshjen e javës, kurse FC Prishtina i është kthyer fitoreve duke triumfuar ndaj Ferizajt, shkruan Zëri.info.
Ndeshja e zhvilluar në Gjilan mes Dritës dhe Ballkanit i takoi vendasve të cilët fituan me rezultat të pastër 2:0.
Izair Emini ('5) dhe Gilberto Fortunato ('24) ishin autorët e golave për skuadrën e Ardian Nuhiut.
Me këtë fitore, Drita rrëmben kreun e tabelës me 21 pikë të tubuara, kurse Ballkani bie në vendin e katërt me 20 sosh.
Nga ana tjetër, pas barazimit pa gola ndaj Drenicës në mesjavë, FC Prishtina ka arkëtuar tri pikë të rëndësishme sot kundër Ferizajt.
Në ndeshjen e zhvilluar në Ferizaj, kryeqytetasit fituan me rezultat 2:0.
Meriton Korenica ('23) dhe Ahmed Januzi ('86) shënuan golat për skuadrën e Armend Dallkut.
Fitorja e sotme e dërgon FC Prishtinën në vendin e pestë me 17 pikë, teksa Ferizaj zbret në vendin e nëntë me nëntë pikë sosh./Zëri.info