Një gol dhe disa raste të humbura kundër Malit të Zi, Vedat Muriqi merr një lajm katastrofal

Tottenhami raportohet se i ka dërguar skoutët për ta përcjellur sulmuesin e Fenerbahçes Vedat Muriqi në ndeshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi, por që ata duket se nuk janë impresionuar me atë që kanë parë.

Mauricio Pochettino, trajneri i Tottenhamit ka mbetur vetëm me një sulmues pas largimit të Fernando Llorentes këtë verë, shkruan Zëri.info.

Si rezultat i kësaj, nuk është befasi që klubi londinez ka qenë i lidhur me një sulmues të ri dhe Muriqi është top-synimi i Tottenhamit, derisa për të interesohet edhe Manchester Unitedi.

25-vjeçari e ka nisur mirë aventurën ndërkombëtare duke shënuar pesë gola në 20 paraqitje për Kosovën, dhe ai vazhdon të shënojë edhe në Superligën turke.

Tre golat e tij në shtatë ndeshjet e para me Fenerbahçen kanë zgjuar interesim te klubet e mëdha evropiane.

Muriqi në ndeshjen ndaj Malit të Zi shënoi një gol në pjesën e parë, por humbi disa raste të sigurta përballë portierit Daniel Petkovic në pjesën e dytë.

Si rezultat i kësaj, “FootballFanCast” raporton se Tottenhami nuk ka mbetur i kënaqur me rastet e humbura të Muriqit dhe se interesimi i londinezëve mund të jetë zbehur./Zëri.info