Shitja e shpejtë e biletave për ndeshjen Kosovë – Mali i Zi, zëvendës-sekretari i FFK-së tregon pse po ndodhë kjo

Pasi biletat për miqësoren ndaj Gjibraltarit kanë dalë disa ditë më herët, dje rreth orës 16:00 dolën në shitje edhe biletat për ndeshjen eliminatore të Kosovës ndaj Malit të Zi.  

Burime të gazetës "Zëri" bëjnë me dije se këto bileta janë “avulluar” për rreth 12 minuta, që nënkupton se stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i stërmbushur të hënën. 

Megjithatë, për të gjithë ata që nuk kanë arritur të blejnë bileta, ka ende shpresë, shkruan Zëri.info. 

Nga kompania e licencuar për bileta “tiks.app” kanë thënë për "Zërin" se ka mundësi që në rast të dështimit të pagesave nga blerësit momentalë, biletat do të dalin në shitje prapë.

Çështjen e shitjes së shpejtë të biletave për ndeshjen Kosovë – Mali i Zi e ka komentuar edhe zëvendës-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës Arjanit Ahmeti.

I ftuar në programin e mëngjesit në RTK, Ahmeti ka thënë se shitja e shpejtë e biletave po ndodhë për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm të tifozëve.

“Biletat kanë dalur në shitje dje në orën 16:00 dhe sikur edhe në ndeshjet e kaluara eliminatore, interesimi për t’i blerë është jashtëzakonisht i madh. Biletat janë shitur përreth 11-12 minuta”, tha fillimisht Ahmeti, përcjell Zëri.info.

“Ne kemi njoftuar që prej një jave për kohën se kur biletat do të vihen në shitje. I kam parë disa kritika, dhe mendoj se kanë të drejtë sepse kaq është kapaciteti ynë”, vlerësoi Ahmeti.

“Është e kundërta me ndeshjet miqësore, sikur me rastin e Gjibraltarit ku ende nuk janë shitur biletat. Ka edhe rreth 2100 bileta në dispozicion. Pra, e gjithë çështja është tek interesimi”, shtoi ai./Zëri.info