Mediumi francez: Flamuri 'peshqir', xhudo dhe yjet e popit - pesë gjërat që duhet t'i dini për Kosovën

Kosova, e cila mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën, është njëra nga demokracitë më të reja në botë.

Mediumi francez "France24" ka publikuar pesë gjëra që duhet t'i dini për Kosovën, e cila shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, përcjell Zëri.info.

Flamuri 'peshqir'

Flamuri i Kosovës mban formën e territorit të saj dhe gjashtë yje të verdhë, për gjashtë grupet kryesore etnike në vend, me sfodin ngjyrë blu.

Në formë tallje, tek anëtarët e shumicës etnike shqiptare të Kosovës ky flamur konsiderohet 'peshqir', të cilët besojnë se është miratuar kryesisht për të kënaqur vendet perëndimore.

Flamuri që shihet më së shpeshti në Kosovë është ai i Shqipërisë - një shqiponjë e zezë me dy krena dhe me një sfond të kuq.

Mirënjohjet ndaj Amerikës

Bashkëpunimi me Amerikën gjithashtu është i njohur, për shkak të mbështetjes së fortë të Uashingtonit në luftën e Kosovës për pavarësi nga Serbia.

Në akte mirënjohje, qytetarët e Kosovës kanë ngritur gjithashtu statujën e ish-presidentit amerikan Bill Klinton dhe bustin e ish-sekretares së shtetit të SHBA-ve Madeleine Albright në Prishtinë, derisa kanë emëruar edhe një bulevard me emrin e George W. Bush.

Në zonat ku banon pakica etnike serbe në Kosovë, flamuri i Kosovës nuk shihet fare, por aty mbizotëron flamuri serb.

Ikonë e xhudos

Kosova arriti ta fitojë medaljen e parë olimpike në paraqitjen e parë në Lojërat Olimpike 'Rio 2016', kur Majlinda Kelmendi arriti ta marrë medaljen e artë, duke u konsideruar më pas heroinë kombëtare.

Ngjarjet sportive shpesh janë një arenë për tensione diplomatike me Serbinë, e cila nuk ishte e kënaqur kur Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.

Futbollistët e Kosovës gjithashtu kanë fituar famë, si në ekipin përfaqësueses ashtu edhe në klubet evropiane.

Yje në muzikën 'pop'

Kosova është një vend me 1.8 milionë banorë, por rreth 700 mijë të tjerë vlerësohet se jetojnë jashtë, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani, përcjell Zëri.info.

Diaspora konsiderohet forcë e madhe ekonomike për Kosovën, teksa vetëm vitin e kaluar dërgoi rreth 800 milionë euro.

Disa nga ambasadorët më të mirë të Kosovës janë yjet e popit - Dua Lipa dhe Rita Ora - të cilat kanë rrënjë nga Kosova.

Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, ku gjysma e qytetarëve të vetë është nën moshën 25-vjeçare.

Katedralja e Mirënjohjes

Më shumë se 90% e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, por një nga katedralet më të mëdha katolike në rajonin e Ballkanit ndodhet në qendër të Prishtinës.

Me emrin e Nënës Terezë, katedralja në fjalë u ndërtua si një simbol i mirënjohjes për Perëndimin kundrejt mbështetjes së pavarësisë së Kosovës./Zëri.info