Lluka: Në 6 mujorin e parë të 2020-tës, nis ndërtimi i termocentralit “Kosova e re”
Kosova do të detyrohet t’i paguaj Contour Global 19 milion euro në rast se kjo marrëveshje dështon të ratifikohet në Kuvend. Me gjithë këtë shoqëria civile vlerëson se për Kosovën është më mirë të ndodhe ky skenar sesa ndërtimi i termocentralit, shkruan Gazeta "Zëri".
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për gazetën “Zëri”, ka thënë se negociatat për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, janë në fazën finale dhe sipas tij kjo marrëveshje do të përmbyllet në një kohë të shkurtër.
“Në periudhën maj-shtator 2019 janë mbajtur takime negociuese me qëllim të përmirësimit të kushteve të ofertës dhe me synim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Tashme investitori CG dhe ofertuesi i preferuar General Electric janë në fazën finale të negociatave dhe pritet që brenda një kohe të shkurtër të përmbyllet kjo marrëveshje, subjekt i aprovimit nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai për "Zërin".
Tutje Lluka ka thënë se ndërtimi i termocentralit do të fillojë në 6 mujorin e parë të vitit 2020.
“Qeveria e Kosovës synon që përmbyllja financiare e projekti gjegjësisht fillimi i ndërtimit të ndodh brenda 6 mujorit të parë të viti 2020, brenda afateve kontraktuale siç parashihet me marrëveshjet komerciale në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit Contour Global të nënshkruara më 20 dhjetor 2017”, ka thënë Lluka. /ZERI