Ujërat e braktisur të Kosovës

Lumenjtë e Kosovës aktualisht gjenden në një situatë alarmante. Mbeturinat dhe kanalizimet janë bërë të pandashme nga resurset ujore të Kosovës. Mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza ka bërë të pazgjidhshëm këtë problem deri më sot, shkruan sot gazeta "Zëri".

Të mbushur me bërllok e të vërshuar nga ujërat e zeza. Disa të turbullt. Disa të zinj korb. Kështu duken sot lumenjtë e Kosovës, shumë prej të cilëve tash e sa kohë kanë humbur hijeshinë prej lumi. Sitnica, Llapi e Drenica janë disa prej lumenjve të Kosovës, të cilët janë prekur në masë të madhe nga ndotja. Në vend se të ishin atraksione për turistët, Drini i Bardhë, Nerodimja e Lepenci janë shndërruar në absorbues të mbeturinave.

Si pasojë e ndotjes shumë prej lumenjve të Kosovës, sidomos ata që gjenden afër zonave të banuara urbane, janë bërë të papërdorshëm. Mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza ka bërë të pazgjidhshëm këtë problem deri më tash.

Nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) thonë se ndërtimi dhe funksionalizimi i këtyre impianteve me rrjetet e tyre që do ta mbulonte tërë Kosovën ka kosto shumë të madhe, afro 700-800 milionë euro.

Gjendja e rëndë e Sitnicës

Ekipi i gazetës ka vizituar disa prej lumenjve të Kosovës, me ç’rast nga afër ka parë gjendjen e tmerrshme të tyre. Në Lumin Sitnica, në pjesën që kalon nëpër qendrën e Lipjanit, shihen teksa mbi ujë lundrojnë një sërë mbeturinash. Atyre u bashkëngjiten edhe ujërat e zeza, të cilat i kanë dhënë ngjyrë të errët ujit të Sitnicës.

Lumi Sitnica

Në fillim të këtij viti Ministria e Mjedisit kishte ndarë 1 milion euro për rregullimin e shtratit të Sitnicës, projekt ky që përmban ndërtimin e kolektorit për ujërat fekale përgjatë të dyja anëve të lumit. Nga Komuna e Lipjanit janë shprehur optimistë se pas ndërtimit të këtij kolektori do të marrin fund edhe ujërat e zeza në këtë lumë.

“Vetë fakti që është në ndërtim kolektori, pritet që pas përfundimit të projektit në lumin Sitnica të mos ketë ndotje nga ujërat fekale”, ka deklaruar për “Zërin” Labinot Dedushi, menaxher i projekteve në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Lipjan.

Pavarësisht kësaj nga Ministria e Mjedisit kanë pohuar se Sitnica vazhdon të jetë ndër lumenjtë më të ndotur të Kosovës. Teksa ka folur rreth gjendjes së ujërave në Kosovë, Gani Berisha, ushtrues detyre i udhëheqësit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, ka thënë se në Pellgun e Ibrit janë regjistruar 100 ndotës prej të cilëve 75 janë ndotës kolektivë, ndërsa 25 janë ndotës individualë. Lumi me numrin më të madh të shkarkimeve të këtij pellgu, siç ai ka bërë të ditur, është pikërisht lumi i Sitnicës.

“Lumenjtë me numër më të madh të vendshkarkimeve të këtij pellgu janë: Sitnica me 32 pika shkarkuese, Llapi me 22, Drenica me 18, Ibri me 14 dhe Prishtevka me 7 ndotës, por lumi më i ngarkuar me sasi të shkarkimeve është gjithsesi Prishtevka”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Llapi, i harruar

As lumi i Llapit, i cili kalon nëpër qytetin e Podujevës dhe përfundon duke u bashkuar me Lumin Sitnica, nuk është në gjendjen që do të duhej të ishte. Përkundrazi, shtrati i këtij lumi, bashkë me ujin që buron nga malet e Kopaonikut, është krejtësisht i papastër. Ndonëse edhe nga MMPH-ja kanë pohuar për ndotjen e lartë të këtij lumi, zyrtarët e Komunës së Podujevës thonë se brenda tre vjetëve do të bëhen kolektorët përreth Llapit dhe lumit tjetër që kalon nëpër këtë komunë, Dumnicës.

Lumi Llap

“Ne e kemi një kredi të butë nga austriakët për vendosjen e kolektorit kryesor për mbledhjen e ujërave të zeza nga Lupçi deri në Bajçinë. Kurse lumi i Dumnicës është në përfundim e sipër. Te lumi që vjen nga pjesa e Majacit dhe e Lupçit të Epërm është kryer kolektori që do të vijë dhe do të vendoset në kolektorin kryesor. Kurse kolektori që vjen nga Batllava ka ardhur deri në pjesën e Bellopojës”, ka deklaruar Hamdi Jaha, drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe për Mbrojtje të Mjedisit në Podujevë.

Lumi Llap

Rrjedhimisht ai ka thënë se tashmë është duke u punuar në drejtim të kolektorëve përreth lumenjve, në mënyrë që ky ujë të bëhet i pastër.

Drini i Bardhë vërshohet nga mbeturinat

Sigurimi i cilësisë së resurseve ujore vazhdon të mbetet njëra prej sfidave kyçe në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës. Para një viti nga Ministria e Mjedisit ishin ndarë 100 mijë euro për rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë, por ky lumë as tash kur po kalon 2019-a nuk është në gjendje më të mirë sesa lumenjtë e tjerë.

Drini i Bardhë

Përkundrazi, uji i këtij lumi duket sikur është shndërruar në një barkë të mbeturinave. Shishet, qeset e plastikës e gjësende të tjera kanë gjetur strehë në lumin e Drinit të Bardhë, i cili përshkon pjesën e Rrafshit të Dukagjinit. Megjithëkëtë, Lorenc Marleku, drejtor i Urbanizmit dhe i Mbrojtjes së Mjedisit në Klinë, thotë se Drini i Bardhë nuk ka ndotës të tjerë përveç ujërave të zeza.

“Lumi Drini i Bardhë fatbardhësisht nuk ka ndotje të tjera përveç ujërave të zeza, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të pranishme”, ka deklaruar ai.

Drini i Bardhë

Së këndejmi Marleku ka thënë se më 2020-n do të nisin edhe procedurat për impiant.

Drini i Bardhë

Ndërkohë në gjendje jo të mirë shihet edhe lumi Klina. Uji i këtij lumi tashmë është përzier me ujërat e zeza, rrjedhimisht ka kaluar në ngjyrë të errët sikurse shumë resurse të tjera të Kosovës.

Lumi Klina

Në Kosovë numërohen gjithsej 4 pellgje lumore: Drini i Bardhë, Ibri, Morava e Binçës dhe Lepenci. Pellgu i Drinit të Bardhë ka gjithsej 154 ndotës: 99 ndotës kolektivë dhe 56 individualë. Ndërkaq nga MMPH-ja kanë bërë të ditur se në Pellgun e Moravës së Binçës dhe të Lepencit janë 24 ndotës. Nga lumenjtë më të ngarkuar janë: Morava e Binçës me 14 pika shkarkuese dhe Lumi Mirusha me 8 pika të shkarkimeve kolektive.

Ndotja e lumit Nerodime, paralajmërohen sërish protesta

Me problemin e ndotjes sikurse Mirusha, Sitnica, Llapi etj. po ballafaqohet edhe lumi i Nerodimës. Për një gjë të tillë disa qytetarë protestuan para Komunës së Kaçanikut në gusht të këtij viti. Teksa ka folur rreth kësaj, regjisori Ben Apolloni, njëri prej iniciatorëve të kësaj proteste, ka thënë për gazetën se protesta erdhi pasi gjendja në Kaçanik u bë e padurueshme nga kundërmimi. Apolloni ka thënë se pas protestës nga Ministria e Mjedisit kanë marrë premtime për ndërmarrjen e masave, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai nuk ka lënë pa fajësuar as Komunën në këtë rast.

“Komuna e Kaçanikut nuk ka bërë asnjëherë asgjë, as tani nuk po e prish traditën e saj”, ka theksuar ai.

Edhe Ukshin Qallaku, drejtor i Urbanizmit, i Kadastrës dhe i Mjedisit në Kaçanik, ka pohuar se ndotja e lumit Nerodime nga ujërat e zeza është në gjendje shumë shqetësuese dhe kalon çdo normë të ndotjes së mjedisit. Por ujërat e lumit Nerodime sipas tij kryesisht ndoten nga shkarkimi i ujërave të zeza të qytetit të Ferizajt.

“Komuna e Ferizajt ka bërë grumbullimin e të gjitha ujërave të zeza në një pikë shkarkimi të vetme në afërsi të fshatit Gurëz. Të gjitha ujërat e zeza të kësaj komune shkarkohen pa asnjë trajtim paraprak në lumin Nerodime, duke shkaktuar ndotje alarmante të mjedisit”, ka potencuar Qallaku.

Gazeta ka kontaktuar edhe Komunën e Ferizajt lidhur me këtë, por nuk ka pranuar kurrfarë përgjigje për disa javë radhazi.

Sido që të jetë, edhe për ndotjen e lumit Nerodime, edhe për Lepencin Qallaku ka thënë se është njoftuar Ministria e Mjedisit, por gjendja e tyre vazhdon të mbetet njëjtë. Pavarësisht investimeve që janë bërë ndër vite, gjendja e këtyre lumenjve sipas tij, e veçmas e lumit Nerodime është alarmante. Ndaj Qallaku ka thënë se duhet të bëhet një zgjidhje e menjëhershme nga të gjitha institucionet e vendit.

Duke u nisur nga tërë këto Ben Apolloni, njëri prej iniciatorëve të protestës kundër ndotjes së Nerodimes, ka paralajmëruar sërish organizim të protestave në këtë drejtim.

“Do të protestojmë sepse po vuajmë. Sipas mjekëve ky problem i tanishëm do të ketë pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve, të kafshëve, por edhe të botës bimore”, ka potencuar ai teksa ka shtuar se gjendja e Nerodimës vetëm po vjen duke u përkeqësuar.

Përveç këtyre lumenjve, e pastër nuk duket as Ujëvara e Mirushës, e cila gjendet në komunën e Malishevës. Kanioni i Mirushës është njëra prej zonave më interesante të natyrës së Kosovës.

Ujëvara e Mirushës

Mirusha tashmë është bërë një vend atraksion për turistë e vizitorë të shumtë. Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht faktit që para shumë vitesh është shpallur Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë, ajo vazhdon të mos kursehet nga mbeturinat. Rrëzë ujëvarave të shumta që ka Mirusha shihen grumbuj të mbeturinave që kundërmojnë.

Ujëvara e Mirushës

Gjendja e lumenjve, alarmante

Gjendja e lumenjve në Kosovë sipas Gani Berishës, nga MMPH-ja, varet nga dy faktorë: nga sasia e ujit që rrjedh dhe nga sasia e reshjeve.

“Duke u bazuar në sasinë e ujit që rrjedh pjesa e Kosovës është më keq, ndërsa pjesa e Dukagjinit është më mirë, sepse është zonë më e pasur me resurse ujore”, ka potencuar ai.

Një pjesë e mirë e lumenjve në Kosovë sipas tij janë të ndotur dhe kjo ka bërë që shumë pjesë të tyre, sidomos ato që janë afër zonave të banuara urbane, të mos jenë të përdorshëm. Nga Ministria kanë thënë se ndërtimi dhe funksionalizimi i impianteve me rrjetet e tyre që do të mbulonte tërë Kosovën ka kosto shumë të madhe, diku afro 700-800 milionë euro. Megjithëkëtë, ata janë shprehur optimistë se në një periudhë prej më pak se 7 vjetësh shumica e impianteve do të jenë të ndërtuara dhe funksionale.

Ekologu Halil Ibrahimi ka thënë se gjendja e lumenjve në Kosovë vazhdon të mbetet alarmante. Përveç shkarkimit direkt të ujërave të zeza dhe të mbeturinave të të gjitha llojeve, problem paraqet edhe menaxhimi i paqëndrueshëm i resurseve ujore në pikëpamje të ujitjes dhe të përdorimit të tij për pije.

“Në shumë zona në Kosovë ka mospërputhje alarmante të përdorimit të ujit nga lumenjtë për ujitje, duke shkaktuar shpeshherë shterje të segmenteve lumore si rezultat i moskoordinimit dhe jofunksionalizimit të akumulimeve përkatëse ujore. Kjo e rrezikon ndjeshëm botën e gjallë në lumenj dhe e çrregullon ekuilibrin ekologjik të tyre”, ka potencuar ai.

Sipas Ibrahimit, aktualisht ka pak impiante të tilla që funksionojnë, por nuk janë të mjaftueshme për sasinë e ujërave të zeza që prodhohen.

Ndotja e ujërave po mbetet problem edhe për vendet e tjera, jo vetëm për Kosovën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerësohet se rreth 5 milionë njerëz në botë vdesin çdo vit nga konsumi i ujit të ndotur. 88 për qind e të gjitha sëmundjeve në botë, sipas një konstatimi të Bankës Qendrore, shkaktohen pikërisht nga uji i ndotur.

Pasojat që vijnë nga ndotja e ujërave

Gjersa kanë folur për ndotjen e lumenjve në Kosovë, specialistët e Biokimisë kanë thënë se nga një gjë e tillë mund të shfaqen sëmundje të ndryshme.

“Kjo nuk është një risi sa i përket Kosovës. Normalisht ndonjëherë ka raste që vjen deri te shfaqja e hepatitit për shkak të ujit të ndotur”, ka deklaruar Shemsi Veseli, drejtor i Klinikës së Biokimisë në QKUK.

Por në parandalimin e ndotjes sipas Veselit duhet të japin kontribut edhe vetë qytetarët.

“Qytetarët duhet të kontribuojnë që edhe ne të mos jemi faktorë i ndotjes. Tani janë zënë edhe fabrika të ndryshme të prodhimit të djathit ose të produkteve të qumështit që kanë derdhur pesticide, andaj kanë ngordhur edhe peshqit, si dhe është ndotur uji”, ka potencuar ai, teksa ka shtuar se institucionet duhet të marrin masa kundër ndotjes së ujit, ngase është faktor shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Ndërkohë ekologu Halil Ibrahimi ka vlerësuar se dëmi kryesor që shkaktohet nga papastërtia e lumenjve është rrezikimi dhe zhdukja e shumë llojeve të organizmave të gjallë në këto habitate. Shqetësues sipas tij mbetet sidomos fakti që shumë lloje të rralla dhe endemike rrezikohen nga ndotja dhe nga praktikat e paqëndrueshme të menaxhimit të resurseve ujore.

“Shumë lloje të tilla të rralla ose janë zhdukur, ose janë të rrezikuara skajshmërish nga ndotja dhe nga veprimtaritë negative në ujërat e ëmbla. Rezultatet e Librit të Kuq të Faunës së Republikës së Kosovës, të finalizuar tash vonë, tregojnë se shumë lloje të insekteve ujore dhe të grupeve të tjera të shtazëve në lumenjtë e Kosovës janë drejt zhdukjes”, është shprehur Ibrahimi, i cili është edhe profesor universitar.

Problem tjetër shkaku i ndotjes së lumenjve sipas tij është edhe dëmtimi i shëndetit të njeriut, respektivisht bartja e sëmundjeve të caktuara.

Ekologu tjetër Zeqir Veselaj ka konsideruar se çështja e lumenjve nuk është trajtuar si duhet as nga niveli qendror e as nga niveli lokal, sepse shumica e këtyre çështjeve i takojnë edhe nivelit lokal që shpesh po amnistohen dhe po neglizhohen./ZËRI