Qytetarëve shqiptarë u mohohet informimi përmes gazetave shqip
Tash e një kohë të gjatë në Luginën e Preshevës nuk mund të lexohen gazetat shqipe, të cilat botohen në Kosovë. Në një intervistë për “Zërin” publicisti Xhahit Ramadani thotë se mungesa e gazetave shqip ua imponon shqiptarëve të Luginës leximin e shtypit serb. Ai flet për kohën kur shtypi kosovar ishte i pranishëm edhe në vendbanimet e tyre.
Zëri: Ka kaluar një kohë e gjatë qëkur gazetat kosovare nuk janë në dispozicion për lexuesit e fjalës së shkruar në Luginën e Preshevës, ju si publicist, njohës dhe kritik i kulturës si e komentoni këtë fakt?
Ramadani: Mjerisht, sot në Luginë të Preshevës (Bujanoc, Preshevë e Medvegjë) qytetarët shqiptarë janë të privuar nga mundësia për t’u informuar përmes gazetave kosovare, që do të thotë se është ndërprerë komunikimi me Kosovën përmes shtypit ditor, që është pjesë organike jona. E pakuptimtë është në shekullin 21 t’i pamundësohet njeriut të informohet në gjuhën amtare. Thjesht, i imponohet të lexojë shtypin që është nën kontrollin direkt ose indirekt të regjimit aktual politikë të Serbisë. Megjithëse, mediet nuk janë të obliguara t’i dëgjojnë e t’i zbatojnë urdhëresat e kujtdo nga sfera e politikës, pronarët e mediumeve për shkak të përfitimeve të ndryshme janë të dëgjueshëm meqë kanë leverdi të kenë sa më shumë reklama, shpallje e kontrata me ministritë e qeverisë për financimin e programeve dhe të projekteve. Andaj lexuesi shqiptar që me pasion e lexonte shtypin kosovar, “Zërin”, “Kohën Ditore”, “Botën Sot”, “Kosovën Sot” gjenden në terr informativ dhe alternativa tjetër është se ata janë të detyruar të informohen përmes shtypit serb.
Zëri: A ka ligj, i cili ndalon shpërndarjen e gazetave kosovare në këto territore?
Ramadani: Nuk e besoj se ligji ndalon shpërndarjen e gazetave kosovare. Duhet të paguhet tatimi dhe kjo është e tëra. Po, nuk ka mbështetje që qytetarëve shqiptarë t’u mundësohet informimi përmes gazetave në gjuhën amtare. Serbia është shtet shumetnik, përveç serbëve, jetojnë edhe 21 nacionalitete të tjera, hungarezët, boshnjakët, rumunët, kanë gazetat në gjuhën amtare dhe program televiziv. Edhe romët kanë program televiziv në TRS. Vetëm shqiptarëve u mohohet shtypi ditor.
ZËRI: Si është bërë furnizimi me gazeta kosovare dhe a është dashur të paguhet shtesë?
Ramadani: Deri në vitin 1999 gazetat kanë ardhur me autobusin e parë që vinte nga Prishtina për në Bujanoc. Më vendosjen e doganës mes Kosovës e Serbisë gazetat vinin deri te Dheu i Bardhë. Aty ka ardhur me makinë për t’i marrë shitësi i kioskës së Luginës nga distributori i gazetave. Gazetat kosovare në Luginë të Preshevës janë shitur po me të njëjtin çmim sikur në Kosovë.
Zëri: Cilët janë faktorët, të cilët kanë bërë që gazetat kosovare të mos jenë në duart e lexuesve të asaj ane?
Ramadani: Janë disa faktorë objektivë e subjektivë, që nga janari i vitit 2017 gazetat kosovare nuk shiten në Luginë të Preshevës. Shitësi i fundit i gazetave kosovare në kioskë të Bujanocit nga viti 2006 deri në janar të 2017-s ishte Agim Rexhepi, nga Tërnoci. Vullnetarisht i ndihmonte i vëllai Ekremi. Në kioskën e tyre shiteshin: “Zëri”, “Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Bota sot”, “Ekspresi”, “Lajmi” e “Fjalëkryqi”. Sipas shitësve, faktori kryesor pse është mbyllur kioska është shitja e dobët. “Nga shitja e gazetave nuk mundnim ta nxjerrim një rrogë mesatare për jetë”. Vlen të përmendet se nga buxheti i Komunës, kioska shpesh është ndihmuar financiarisht. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se edhe në vendet më të zhvilluara nga kioska nuk mund të mbijetojë as gazeta e as shitësit. Kuvendi Komunal i Bujanocit përsëri ka vullnet të mirë për ta ndihmuar distribuimin e gazetave kosovare.
Ndër faktorët kryesorë të tirazhit të vogël të shitjes së gazetave të Kosovës e që tani nuk vijnë në Luginë janë: Sistemi i dobët i shpërndarjes së gazetave, negligjenca e atyre që e kanë për detyrë lexuesin që nga mëngjesi t’i sigurohet ta ketë gazetën në duar dhe zhvillimi i vrullshëm i medieve elektronike, në veçanti i televizionit, përparësia e fuqishme audiovizuale, gazetat online, portalet me tituj bombastikë e sensacionalë kanë ndikuar gjithkund në botë edhe te ne në zvogëlimin e tirazhit të gazetave.
Zëri: Cila ka qenë gazeta që më së shumti është lexuar?
Ramadani: Secila gazetë e ka pasur lexuesin e vet. Si drejtor i “RTV Bujanocit” jam parapaguar në “Kohën Ditore” dhe në “Zërin”. Ne programin e mëngjesit i njoftonim shikuesit, dëgjuesit me titujt kryesorë të gazetave. Dikush prej gazetarëve blinte “Botën Sot”, dikush “Kosovën Sot” dhe i lexonim titujt kryesorë të katër gazetave.
Gazetat kosovare kanë pasur korrespodentë të rregullt e të talentuar që raportonin nga Lugina e Preshevës. Për “Zërin” shkruante Shaip Kamberi, kryetari aktual i Komunës së Bujanocit në mandatin e dytë. Gati për çdo javë për “Kohën Ditore” shkruante profesor Metali Krasniqi, ndërsa për “Botën Sot” Sevdail Hyseni, dytë profesorë të albanologjisë. Korrespondentë të “Rilindjes” nga Bujanoci ishin Skender Daci, inxhinier i agronomisë dhe Raif Sejdiu profesor i gjuhës shqipe. Për “Rilindjen” gjithë Luginën e Preshevës e kanë mbuluar Hasan Emrullahu dhe Mexhid Mehmeti.
Zëri: Sa ka qenë interesimi i shqiptarëve për gazetat ditore nga Kosova?
Ramadani: Shqiptarët e Luginës së Preshevës (Bujanoci, Presheva, Medvegja) Kosovën e kanë shpirt e zemër. Me të frymojnë, për bashkim me Kosovën jetojnë. Pa dallim profesioni, mësues a punëtor, i ri o plak, me interesim e kanë përcjellë shtypin kosovar. Në Bujanoc “Rilindja” ka filluar të shpërndahet edhe më vonë. Në mungesë të dokumentit të shkruar po e citoj Xhemal Mustafën, 79-vjeçar i lindur në Tërnoc, me vendbanim në Bujanoc para 60 vjetëve. “Rilindja” ka filluar të shpërndahet në Bujanoc, pasi është zgjedhur kryetar i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues në Bujanoc, Zijadin Sabedini, drejtor i Bankës Kreditore të Leskocit, pas rënies së Aleksandër Rankoviqit (1966), nga viti 1968. Atë kohë Lidhja Socialiste në Bujanoc ishte e parapaguar në gazetën e përditshme “Borba” dhe “Politika”. Me një mbledhje të Këshillit Ekzekutiv të LSPP-së së Bujanocit të vitit 1968, Zijadin Sabedini potencon se në Bujanoc nuk shpërndahet gazeta e përditshme në gjuhën shqipe “Rilindja” e Prishtinës. Propozon që LSPP-ja e Bujanocit të parapaguhet edhe për “Rilindjen”. Pasi mungesën e gazetës në forum bindshëm e arsyeton, propozomi i tij miratohet. Në fillim sipas informatorit[1] LSPP-ja e Bujanocit ishte parapaguar për 12 gazeta. Ato falas u shpërndaheshin qytetarëve, në furrën e vëllezërve Avdi dhe Selim Martinaj, bukëpjekës në Bujanoc, në lokalin e Dragi Trajkoviq - Karadniçan, që edhe sot është furrtar. Interesimi për gazetën dita-ditës rritej. Më pas “Rilindja është shitur në dyqanin e Hasan Këpucëtarit në Bujanoc. Pas shumë peripecive u dha leja për hapjen e kioskës së “Rilindjes”. Me rritjen e popullatës shqiptare në Bujanoc “Rilindja” hapi edhe librari.
Më pas me iniciativën e Shaban Xheladinit shtypi shqip i Kosovës fillon të shpërndahet edhe në fshatin më të madh të komunës së Bujanocit dhe më gjerë në Tërnoc. Kjo kioskë me sukses ka punuar përplot 10 vjet. Vlen të përmendet se në Tërnoc një kohë ka funksionuar edhe libraria e “Rilindjes”. ZERI