“Shkodra Jazz Festival”, në kujtim të muzikantit Rrok Jakaj

 

“Shkodra Jazz Festival” këtë vit shënon edicionin e dhjetë. Festivali prej vitesh është mirëpritur nga publiku e edhe kësaj radhe nuk mungojnë koncertet dhe aktivitetet e ndryshme. Festivali filloi këtë verë, më 17 gusht, në qytetin e Shkodrës, për të vijuar me muzikën dhe me artistët pjesëmarrës në ditët e tij, shkruan gazeta "Zeri".

Festivali në edicionin e dhjetë do të nisë me “masterclasse” dhe me “Rrok Academy”, që mban emrin në nderim të kujtimit të ideatorit Rrok Jakaj.

Në edicionet e festivalit të ftuarit janë artistë të huaj, të njohur botërisht, por edhe shqiptarë me karrierë brenda dhe jashtë vendit.

Deborah J. Carter, këngëtarja e njohur amerikane e muzikës jazz, Johannes Fabbersi dhe Alboran Trio do të jenë disa nga grupet dhe artistët që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të “Shkodra Jazz”, qe po zhvillohet nga data 17 gusht dhe vijon deri më 1 shtator në Shkodër. Ky është edicioni i dhjetë i “Shkodra Jazz Festival”, i cili nisi në vitin 2005, në kujtim të muzikantit të njohur Rrok Jakaj, percjelle "Zeri".

Në festival do të marrë pjesë pianistja Vezena Zeiner nga Austria, e cila me delikatesën dhe me improvizimet e saj të transporton në një nivel paralel, ku çdo gjë duket ndryshe. Ajo do të mbajë koncertin kryesor më datën 28 gusht, në orën 19:30. Më datën 29 gusht do të interpretojë Manouche, njëri prej emrave më të shquar në Itali dhe më tej Nunzio Barbieri, duke kaluar më pas te magjia e trios të Daniele Gorgone, në datën 30 gusht, e cila do të pasurohet me pjesëmarrjen e Deborah J. Carter, me ngrohtësinë e zërit të pasur me ngjyra. Alboran Trio do të jetë më 31 gusht, për të përcjellë në një frymë të re të luajturi, duke kaluar te Johannes Fabberi. Festivali do të zhvillohet në teatrin “Migjeni”, në sallën e muzeut “Oso Kuka” dhe në vende të tjera.