'Libra me zë', iniciativa që po ua ofron të verbërve botën e librit

Me qëllimin që kënaqësinë e njohjes me botën e librave t’ua ofrojnë edhe atyre që për shkak dëmtimeve në të parë nuk mund të lexojnë, një grup të rinjsh kanë nisur projektin “Libra me zë”. Ata mëtojnë që librat t’i incizojnë dhe përmes internetit t’i shpërndajnë te personat, të cilët kanë nevojë për libra të tillë, si dhe te të gjithë ata, të cilëve u pëlqen që librave t’u qasen në këtë mënyrë më kreative. Megjithatë ky projekt i nisur në baza vullnetare në janar të vitit 2017 ende nuk i ka siguruar të gjitha fondet e nevojshme për zhvillim. Për këtë arsye ideatorët kanë nisur një fushatë, në të cilën i ftojnë të gjithë dashamirët e librit ta ndihmojnë jetësimin e kësaj ideje, shkruan gazeta "Zëri".

“Libra me zë”, të cilët do të jenë në shërbim të të gjithëve

Egzon Bunjaku, njëri nga ideatorët e këtij projekti, ka treguar për gazetën “Zëri” se ideja për platformën “Libra me zë” erdhi si rezultat i disa aktiviteteve humanitare, që realizuan me grupin joformal “Maniakë t’Kuzhinës” dhe të organizatën “Education Comes First”. Në këto aktivitete ata panë si shqetësim faktin se sa pak bëhet në vend për personat e verbër. “Si të rinj me vullnet e energji pozitive për të bërë ndryshim në komunitet, ne nxorëm statistika rreth personave të verbër e me shikim të dobësuar dhe menduam se si t’ua lehtësojmë qasjen në materiale shkollore e në libra. Bashkë me Saranda Rexhën, e cila është koordinatore në organizatën ‘ECF’ menduam të mbledhim fonde dhe t’i printojmë libra në alfabetin Braj, i cili është me prekje që personat e verbër të kenë më shumë libra për të lexuar, por këto libra ishin mjaft të kushtueshme dhe njerëzit nuk përkrahën mjaftueshëm këtë nisëm tonën. Ishte ky momenti kur na lindi ideja për t’i incizuar librat me zë që personat e verbër e me shikim të dobësuar të kenë qasje”, ka treguar Bunjaku.

Ai tutje theksoi se fillimisht platforma u mendua për personat e verbër, por gjatë zhvillimit të platformës menduan t’ua mundësojnë edhe të tjerëve qasjen në platformë, pasi në ditët e sotme të gjithë jemi të ngarkuar dhe më me dëshirë do të dëgjonim një libër sesa ta marrim librin. “‘Audio Books’ ose ‘Librat me zë’ janë treguar mjaft efikase në shtete të ndryshme dhe besojmë se edhe tek ne do të ketë dëgjues më shumë sesa lexues në pesë vjetët e ardhshme. ‘Libra me zë’ u krijua në janar të vitit 2017, që nga ajo kohë vullnetarët tanë kanë filluar të incizojnë libra, të cilët më pas po përpunohen për t’u publikuar në uebfaqe”, shprehet Bunjaku.

Sipas tij, vështirësitë në të cilat kanë hasur që nga themelimi kanë të bëjnë me studiot për t’i incizuar, fondet për të avancuar platformën, të drejtat e autorit kanë ndikuar që zhvillimi i platformës të ndodhë në hapa më të ngadalshëm e të tjera.

Thirrja për ndihmë, e hapur deri më 23 gusht

Megjithatë për ta realizuar këtë ide të këtyre njerëzve vullnetmirë u duhet ndihmë financiare. Ata tashmë kanë nisur një fushatë online për grumbullimin e 4.000 eurove që uu duhen. Bunjaku bën të ditur se kjo fushatë do jetë e hapur deri më 23 gusht. “Për ta avancuar platformën kemi hapur një kampanjë në ‘KosovaIdeas.com’, ku deri më 23 gusht të gjithë mund të bëjnë donacion një shumë që ata dëshirojnë për ta ndihmuar këtë projekt. Ne synojmë të grumbullojmë 4.000 euro, deri më tani kemi mbledhur 2.400 euro (60% e shumës së nevojshme) dhe jemi shumë falënderues për të gjithë ata njerëz e biznese që kanë shprehur vullnet të ndihmojnë një platformë të tillë”, tregon ai.

Deri më tani në kuadër të këtij projekti janë incizuar 18 libra, kurse janë edituar dhe janë publikuar 11 prej tyre. “Deri në fund të vitit besojmë se do të kemi 50 libra me zë të publikuar në platformë, sa i përket përzgjedhjes fillimisht kemi menduar të kemi më shumë libra për fëmijët, kështu që përralla, tregime frymëzuese e motivuese e më pas do të ketë edhe libra shkollorë, romane e libra të tjerë, të cilët do të kategorizohen sipas zhanrit”, thekson Bunjaku.

Përzgjedhja për librat e ardhshëm po bëhet nga Saranda Rexha, Egzon Bunjaku dhe Doruntina Jakupi, Aktualisht ky projekt ka rreth 100 vullnetarë që ndihmojnë në forma të ndryshme, duke promovuar platformën, duke kërkuar ndihmë nga biznese të ndryshme, duke lexuar libra. “Të gjithë që duan të na bashkëngjiten në këtë udhëtim/nismë le të vizitojnë uebfaqen www.librameze.com, në të cilin do të gjejnë të gjitha informatat rreth nesh dhe kontaktet tona. Një falënderim të veçantë për vullnetarët tanë, mediet që raportuan për nismën tonë dhe të gjithë ata që kontribuuan në zhvillim të kësaj platforme”, thotë për fund Bunjaku./ZËRI