Libri i javës - 'Mendësia' nga  Carol Dweck

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Mendësia” nga  Carol Dweck. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema”, si dhe është përkthyer nga Valbona Nathanaili.

Ne rekomandojmë për lexim këtë libër, sepse Dweck sjell në të një mënyrë të qartë dhe brilante shpjegimin e konceptit të mendësisë. Profesoresha e Universitetit të Stanfordit, Dr. Carol Dweck, në këtë bestseller botëror na jep teknika dhe këshilla se si të ndryshojmë mënyrën tonë të të menduarit për të realizuar të gjithë potencialin që kemi brenda vetes.

Pas shumë dekadash kërkimi psikologja me famë botërore e Universitetit të Stanfordit Dr. Carol Dweck zbërtheu një ide të thjeshtë, por tejet shpërthyese: fuqinë e mendësisë. Në këtë libër brilant ajo na tregon se si suksesi në shkollë, në punë, në sport dhe në arte, e sidomos në çdo fushë të aktivitetit njerëzor mund të ndikohet thelbësisht në mënyrën se si ne mendojmë rreth aftësive dhe talentit që kemi. Njerëzit me mendësi të fiksuar, ata që besojnë se aftësitë e tyre janë të kufizuara, - janë më pak të prirë drejt suksesit sesa ata që mendësi të zhvilluar, pra ata që besojnë se kanë aftësi që mund të zhvillohen. Ky libër u vjen në ndihmë prindërve, mësuesve, menaxherëve dhe atletëve se si ata mund t’i vënë në punë këto ide për të pasur nxitje të jashtëzakonshme.

 

Në këtë libër autorja Carol Dweck na njeh me një fenomen, të cilin e quan rritja e mendësisë false dhe i orienton njerëzit drejt adoptimit të një mendësie të vërtetë, të re dhe më të thellë. Gjithashtu ajo shpjegon konceptin e mendësisë përtej aspektit individual, duke e aplikuar atë në kulturat e grupeve dhe të organizatave. Me mendësinë e duhur ti mund t’i motivosh ata që të duan, të mësojnë dhe të duan - përmes transformimit të jetës tënde dhe të tyren. Librin “Mendësia” nga  Carol Dweck mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku”, në Prishtinë. Zëri