Vajza e Gani Gecit, delegatja më e re që do të marrë pjesë në Kuvendin e LDK-së
Në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do të mbahet më 3 gusht të këtij viti, do të marrë pjesë si delegate edhe Marigona Geci, vajza e madhe e Gani Gecit.
Ajo është deleguar nga Dega e LDK-së në Viti, pasi që atje është e martuar.
Marigona është vajza e madhe e Gani Gecit e lindur më 9 shkurt të vitit 1992 në Skenderaj. Pak muaj pas lindjes, babai i saj Ganiu, e kishte kryer sulmin e parë kundër forcave serbe.
Shkollën fillore e ka të përfunduar në fshatin Llaushë ndërsa shkollën e mesme në Skenderaj.
Është e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik, departamenti Banka, Financa dhe Kontabilitet me notën 9.77 gjatë studimeve Bachelor, ndërsa Masterin poashtu e përfundoi në Fakutetin Ekonomik në departamentin e njëjtë Banka, Financa dhe Kontabilitet me notë mesatare 9.50.
Ka përfunduar gjithashtu studimet bachelor në fakultetin Filologjisë në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës. Flet gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane rrjedhshëm.
Ka ndjekur studimet e PhD-së në kuadër të programit “Tempus” pranë Universitetit të Prishtinës, në fakultetin Ekonomik, departamenti Ekonomik dhe tani është në përfundim të temës së Doktoratës në këtë program, program ky i cili është në bashkëpunim me tri universitete Evropiane, shkruan ‘Kosovarja’.
Punon si asisitente e rregullt për lëndët ekonomike në fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prizrenit dhe si asistente e angazhuar në Universitetin e Prishtinës.
Është e martuar me Milot Lalën nga komuna e Vitisë dhe është nënë e një vajze.