Historia e veçantë e Mërgim Vojvodës

Mërgim Vojvoda e ka zbuluar historinë speciale të tij dhe të familjes, e cila kishte hequr shumë para se ta fillonte një jetë të re në perëndim.

Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës ka folur edhe për fillimin e karrierës e deri tek arritja në ditët e sotme

Si shumica e futbollistëve kosovarë që janë rritur jashtë Kosovës, edhe Mërgim Vojvoda e ka historinë e tij speciale, shkruan Gazeta Express.

Mbrojtësi i djathtë e ka kujtuar të kaluarën e tij dhe të familjes, e cila nuk ishte aspak e lehtë.

Ai ishte lindur në Gjermani nga prindër kosovarë.

“Ne na kthyen në Kosovë gjatë luftës në vend. Aty qëndruam për një vit. Mua nuk më kujtohen shumë gjëra nga ajo kohë. Kur i mbusha tri vjet ne ia dolëm të shkonim në Belgjikë pasi dy xhaxhallarët e mi jetonin atje. Unë e di prej nga jam dhe jam krenar. Secili futbollist e ka historinë e vetë”, ka kujtuar fillimisht futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës.

Kjo nënkupton se Vojvoda i ka tri pasaporta, të Belgjikës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, pjesë e së cilës në futboll është që nga viti 2017.

“Pasi që vendi im nuk ekzistonte zyrtarisht, fillimisht pata luajtur për ekipin U-21 të Shqipërisë. Jam krenar që e kam veshur fanellën Kuqezi, por gjithmonë e kam thënë se do ta zgjidhja Kosovën kur ajo të pranohej në FIFA. E mbajta fjalën. Tash jam vërtet krenar. Ne po bëjmë ndeshje ndërkombëtare. Askush nuk mund ta paramendonte këtë disa vite më parë”, vazhdoi Vojvoda.

Forma e mirë që e shfaqi viteve të fundit bëri që Standard Liege ta rikthejë atë në ekip disa javë më parë.

“Unë u ktheva në shtëpi”, thotë ai duke qeshur. “Është një epokë e re në jetën time. Ky është klubi më i madh në Belgjikë. Reims shfaqi interes për mua, njëjtë si AA Gent. Mirëpo, Standardi ka qenë gjithmonë në kokën time. Ata nuk kishin nevojë të më bindnin, entuziazmi ishte atje menjëherë. E dija se një ditë do të kthehesha në Standard. Shpresoj të realizoj shumë gjëra të mira këtu. Me ndihmën e shtabit teknik, të trajnerëve dhe po ashtu edhe të bashkëlojtarëve. Nëse është diçka që e kam mësuar këto vite është se talenti i vetëm nuk mjafton”, ka përfunduar 24 vjeçari.