Ambasada Gjermane: Për 1 vit, 13 mijë viza pune për kosovarët

Brenda një viti vetëm Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i ka lëshuar rreth 13 mijë viza pune për kosovarët. Me viza të tilla qytetarët po pajisen edhe në Ambasadën e Kroacisë, të Sllovenisë etj. Në mungesë të vendeve të punës në Kosovë të rinjtë janë orientuar masivisht drejt Evropës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mungesa e vendeve të punës në Kosovë ka nxitur shumë të rinj që të gjejnë alternativa për punësim në vende të ndryshme të Evropës.

Gjermania është në krye të listës së kërkesave të kosovarëve për punësim, e pasuar nga Kroacia, Sllovenia etj., duke u bazuar në statistikat e pajisjes me viza pune nga ambasadat e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Zyrtarë të Ambasadës Gjermane në Prishtinë i kanë thënë gazetës “Zëri” se gjatë vitit 2018 i kanë lëshuar gjithsej 38 mijë viza, prej të cilave 13 mijë për të studiuar ose për të punuar në Gjermani.

“Gjatë vitit 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar rreth 38.000 viza. Prej tyre rreth 25.000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Schengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13.000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade për “Zërin”.

Trendi i pajisjes me viza gjermane për kosovarët edhe këtë vit duket të jetë i njëjtë me vitin e kaluar.

“Sipas zhvillimeve aktuale, duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake. Ambasada Gjermane në Prishtinë gjatë viteve të fundit ka ngritur ndjeshëm kapacitetet për shqyrtimin e kërkesave për viza. Megjithatë, numri i kërkesave edhe më tutje tejkalon kapacitetet e Ambasadës. Për këtë arsye pritjet janë të pashmangshme”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Ambasadës.

Derisa shumë të rinj po shkojnë në Evropë për të punuar, një numër i madh i tyre po kërkon azil.

Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, vetëm në vitin 2018 9175 kosovarë kanë kërkuar azil në shtetet e ndryshme të BE-së ose kanë qëndruar jashtëligjshëm në këto shtete.

Sipas këtyre statistikave, për 10 vjet del se Kosovën e kanë lëshuar rreth 20% e popullatës.

Vala më e madhe e ikjes nga Kosova ka qenë gjatë periudhës 2013-2015, ku mbi 100 mijë kosovarë kanë ikur ilegalisht nga vendi.

Për një dekadë mbi 200 mijë kosovarë kërkuan azil në BE

Demush Shasha, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” se duke filluar nga viti 2008 deri në vitin 2018 rreth 203 mijë qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE).

“Në periudhën 2008-2018 gjithsej 203 mijë e 330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë kësaj kohe po ashtu 141.330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Sidoqoftë, që nga viti 2016 Kosova ka shënuar një rënie të konsiderueshme si në numrin e kërkesave për azil, ashtu edhe në numrin e shtetasve të Kosovës që u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Në fakt viti 2018 ka qenë vit më trend më të mirë në të dyja kategoritë”, ka thënë ai.

Shasha ka theksuar se këto të dhëna bëhen edhe më dramatike nëse u shtohet edhe numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve tjera ligjore, siç janë lejet e punës.

Sipas tij, janë disa arsye të cilat po i shtyjnë qytetarët kosovarë të largohen nga vendi.

“Shkaqet kryesore të largimit të popullatës nga Kosova kanë të bëjnë me pakënaqësinë e madhe të qytetarëve ndaj zhvillimeve shoqërore dhe politike përgjatë dy dekadave të fundit. Në vend të ndërtimit të demokracisë liberale, me pjesëmarrësit progresivë shoqërorë, të bazuar në ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, është instaluar një klientokraci ku skena politike kap institucionet publike dhe monopolizon sektorin privat për qëllimin e vetëm - të mbetjes në pushtet”, ka theksuar ai.

Shasha është pesimist se këtë vit do t’u hiqen vizat kosovarëve pavarësisht premtimeve të politikanëve. Sipas tij, liberalizimi i vizave me BE-në do të ndodhë gjatë vitit 2020.

Ikin në mungesë të perspektivës në Kosovë

Njohësi i integrimeve, Besnik Vasolli, për “Zërin” ka thënë që largimi i qytetarëve qoftë për punë, për studime ose për arsye të tjera po bëhet si pasojë e keqmenaxhimit politik në Kosovë, që nuk po krijon vende të reja të punës për qytetarët.

“Arsyet e lëvizjes së të rinjve kosovarë kanë të bëjnë me mungesën e perspektivës për të rinjtë, si dhe me mungesën e vendeve të punës. Përgjegjësia për të parandaluar ikjen e të rinjve u bie institucioneve kosovare. E në fakt kjo është kostoja e keqmenaxhimit shumëvjeçar, mungesës së vizionit dhe prioritizimit të politikave zhvillimore”, ka thënë ai.

Për ta ndalur largimit e të rinjve, sipas Vasollit, institucionet kosovare do të duhej të përkushtoheshin në disa aspekte.

“Për t’u ndalur këto dukuri do të duhej të analizohen kërkesat e tregut, aftësitë ekzistuese dhe të orientoheshin investimet vendore, ndërkombëtare, si dhe donacionet e kreditë në të cilat Kosova tashmë ka qasje. Të adresohet sundimi i ligjit, si dhe të orientohet sistemi i arsimit dhe i edukimit drejt ndërlidhjes sa më të mirë me kërkesat e tregut. Kjo qasje strategjike do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse, e ndërlidhur me mundësitë dhe me përgjegjësitë që vendi tashmë ka marrë, qoftë me marrëveshje ndërkombëtare, si me MSA-në ose edhe me marrëveshje tjera multilaterale dhe bilaterale”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ndërkohë, duke folur për heqjen e vizave, Vasolli theksoi se liberalizimi i vizave nuk mundëson studimin ose punësimin jashtë vendit, prandaj sipas tij ky proces nuk lidhet me punësimin e të rinjve në vendet e BE-së.

“Liberalizimi i vizave mundëson vizitë turistike prej jo më shumë se 90 ditësh brenda periudhës prej 180 ditëve. Pra nuk mundëson studim ose punësim. Kështu që liberalizimi i vizave është një lehtësi e madhe për të lëvizur lirshëm dhe pa burokraci të ngarkuar, po nuk e mundëson migrimin e asnjë forme në BE ose kudo tjetër”, ka shtuar ai.

Shkollohen në Kosovë, punësohen në Gjermani

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Ismajl Kurteshi, vlerëson se numri i të rinjve që largohen me viza pune nga Kosova është rritur sepse, siç thotë ai, janë lehtësuar procedurat për të punuar në vende si Gjermania, Sllovenia, Kroacia e deri në Kanada.

Ai ka thënë për “Zërin” që të rinjtë po largohen në mungesë të perspektivës në Kosovë.

“Largimi i të rinjve po ndodh jo për fajin e tyre, por për fajin e politikëbërësve në Kosovë, të cilët qysh nga paslufta nuk kanë krijuar perspektivë për rininë kosovare. Të rinjve pas shkollimit dhe pas përpjekjeve që të shkollohen në Kosovë nuk u mbetet alternativë tjetër, përpos që të dalin jashtë. Pavarësisht se nuk kemi liberalizim të vizave të rinjtë po marrin viza pune në vende si Gjermania, Sllovenia, Kroacia e deri në Kanada dhe kjo po ua mundëson atyre që të dalin pa krijuar ndonjë bujë të madhe”, ka thënë Kurteshi.

Deputeti i LVV-së thotë se largimi i të rinjve e dëmton Kosovën në dy aspekte.

“Vendet evropiane kanë nevojë për fuqi punëtore, sidomos të kualifikuar. Kosova shpenzon me dhjetëra mijëra euro për ta shkolluar një mjek dhe pastaj kur ai bëhet gati që ta japë kontributin e vet në Kosovë ai detyrohet të shkojë në një vend tjetër. Ne me këtë rast e humbim një të ri të kualifikuar dhe i gjithë ai investim në shkollimin e tij shkon i pashfrytëzuar”, ka shtuar ai.