Cilat janë alternativat për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes për gjilanasit

Komuna e Gjilanit me 14 qershor ka shpallur gjendjen emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm për shkak të rënies drastike të nivelit të ujit në burimin kryesor, pendën e Përlepnicës. Zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit,  Hidromorava kanë njoftuar se niveli i ujit në këtë pendë është 16 metra. Kompania, po ashtu, ka njoftuar se uji nën nivelin e thellësisë prej 7 metrave  të pendës nuk është i pijshëm dhe kjo nënkupton se një sasi relativisht e vogël mbetet në shfrytëzim.

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka pasur një takim me Kryeministrin Ramush Haradinaj ditën e djeshme lidhur me gjendjen emergjente të ujit të pijshëm në Komunën e Gjilanit. Ai për Express ka thënë se Kryeministrit Haradinaj iu prezantuan dy alternativa për zgjidhjen e problemit afatgjatë.

Zëvendësministri Kadriu u shpreh se takimi me Kryeministrin ishte informim mbi gjendjen emergjente të shpallur nga Komuna e Gjilanit si dhe dy alternativat që u prezantuan para Kryeministrit për zgjidhjen e problemit afatgjatë.

“Mbushja e akumulacionit të Përlepnicës nga lumi Krivareka me gjatësi 54 km me kosto financiare rreth 3 milion euro si dhe ndërtimi i akumulacionit të ri në lumin Llapushnik në fshatin Pogragjë me akumulim të ujit prej 7 milion litrave dhe me gjatësi të gypave 11.5 km me kosto 9 milion euro”.

Kadriu tha se në këtë fazë emergjente, Kryeministri shprehu gatishmërinë që ta ndihmoj Gjilanin me hapjen e puseve alternative deri në një zgjidhje të qëndrueshme.

Kadriu deklaroi po ashtu se sot ka qenë pjesëmarrës në punëtorinë ditore në Gjilan lidhur me krizën e ujit.

Në këtë vizitë ka marrë pjesë edhe Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka dhe Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Muhamed Suliqi. 

Rexhep Kadriu tha se në këtë takim është diskutuar për hapjen urgjente të puseve alternative si formë e reagimit të shpejtë.

“Nga takimi i sotëm janë nxjerrur disa konkluzione se si të veprohet lidhur me këtë gjendje emergjente të ujit të pijshëm, njëra nga to është formimi i ekipit teknik që nga nesër të ofroj zgjidhje emergjente si dhe intervenim urgjent me hapjen e puseve alternative dhe shfrytëzimi i puseve në lokacionin e  Kazermës së Ushtrisë, në lokacionin e Velekincës dhe në livadhet e Koretishtës”

Zëvendësministri tha se do të përgatitet ekipi profesional që do të angazhohet për mbushjen ose ndërtimin e pendës së re për Gjilanin.

“Përgatitja nga ekipi profesional i alternativës së mbushjes ose të ndërtimit të pendës së re dhe kërkimi i fondeve nga donatorët për ndërtimin e pendës së re në Llapushnik”

Kadriu ka thënë se të gjitha këto alternativa do të dalin deri në fund të javës do t'i prezantohen Kryeministrit Haradinaj.