Komuna e Shtimes shpërblen me tenderë kompanitë e papërgjegjshme
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Shtimes në disa raste i ka shpërblyer me tenderë operatorët e ndryshëm ekonomikë, ndonëse ata kanë pasur borxhe të pashlyera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), shkruan sot Gazeta "Zëri".
Shkelje të mëdha ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Shtimes.
Në raportin e auditorit për Komunën e Shtimes thuhet se sipas Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, Neni 65, paragrafi 4.8, “Operatori ekonomik nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik aktualisht është me vonesë në pagimin e çfarëdo kontributi për sigurim social ose për tatimin në Kosovë, ose në vendin e themelimit të operatorit ekonomik, përveç kur një borxh i tillë është vërtetuar të jetë jo i rëndësishëm në Kosovë”, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".
Nga testimi i mostrave auditori ka konstatuar se Komuna në një (1)11 raste kishte shpërblyer ofertuesin me kontratë pavarësisht se ai nuk kishte përmbushur kriterin 3.2.1 të përshtatshmërisë “Vërtetimi i lëshuar nga Administrata Tatimore”.
Operatori ekonomik kishte dorëzuar dëshminë e vërtetimit tatimor në momentin e ofertimit, mirëpo ai ishte me afat të skaduar, por që nuk ishte vërejtur nga ana e Komisionit Vlerësues dhe zyrtarëve të prokurimit. Sipas ZKA-së, shkaku i një lëshimi të tillë ishte neglizhenca e Komisionit Vlerësues e më pastaj edhe e zyrtarit të prokurimit.
“Praktika e tillë shton rrezikun e mosarritjes së vlerës për para, dëmtimit të reputacionit të Komunës, dëmton transparencën dhe eliminimin e konkurrencës.
Kryetari i Komunës të sigurojë kontrolle të shtuara, në mënyrë që të bëhet vlerësim i drejtë i ofertave dhe të mos shpërblehen me kontratë operatorë të papërgjegjshëm. Çështja A9 - Tejkalimi i pozicioneve të paramasës së kontraktuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Tejkalimi i pozicioneve të paramasës së kontraktuar
Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se, sipas Nenit 61.2, te pika g dhe h: “Funksionet e menaxherit të projektit janë: Të nxjerrë variacione ose urdhra për ndryshim nëse kërkohet, në përputhje me termat dhe me kushtet e kontratës; Të sigurojë detaje të plota të një ndryshimi të kërkuar të kontratës së Departamentit të Prokurimit dhe ta marrë miratimin”. Nga auditimi i pagesave për qëllime të pajtueshmërisë kemi verifikuar se në një rast Komuna kishte ekzekutuar pagesën për pozicionet të cilat ishin tejkaluar krahas paramasës së kontraktuar.
Pra Organi Mbikëqyrës, përkatësisht menaxheri i kontratës, nuk kishte respektuar paramasën dhe parallogarinë si aneks i kontratës bazë. I njëjti nuk kishte respektuar procedurat ligjore me rastin e ndryshimit-tejkalimit të pozicioneve.
Planifikimi dhe hartimi joadekuat i projekteve nga ana e autoritetit kontraktues ka shtyrë që të ndryshohen pozicionet brenda paramasës së kontraktuar.
Gjithashtu neglizhenca nga ana e menaxherit të projektit ka shkaktuar anashkalimin e procedurës përkatëse ligjore për miratimin e tejkalimit/ndryshimit të pozicioneve.
Sipas ZKA-së, tejkalimi i pozicioneve të përcaktuara në marrëveshje kontraktuale përbën shkelje të kontratës dhe si e tillë rrit rrezikun që operatori të mos kryejë punët sipas standardeve dhe cilësisë së përcaktuar sipas kontratës fillestare. Paramasatjokorrekte sjellin shpenzime shtesë dhe vonesa në realizim.
Nënshkrimi i kontratave pa zotim të mjaftueshëm të mjeteve
Sipas Rregullës Financiare Nr. 01/2013 për shpenzimin e parasë publike, “asnjë kontratë publike nuk duhet të nënshkruhet pa zotim të mjeteve”, gjithashtu “organizata buxhetore nuk ndërmerr asnjë obligim gjatë vitit aktual fiskal në një shumë që i tejkalon fondet e ndara”.
Gjatë auditimit për qëllime të pajtueshmërisë nga 73 pagesat, në 12raste në vlerë prej 98.947 € Komuna kishte pranuar faturën së bashku me dokumentacionin mbështetës para datës së kërkesës për zotim të mjeteve.
Shkaku i moszotimit është mungesa e kontrolleve në buxhetimin e projekteve.
“Hyrja në obligime pa fonde të zotuara rrit rrezikun që projektet të mos financohen në tërësi dhe mund të rezultojë në dështim të kryerjes së tyre. Gjithashtu rritet rreziku i përballjes me padi për mosfshirje të obligimeve me kohë ose edhe përballje me shpenzime shtesë për shkak të vonesave të mundshme. Kryetari të sigurojë që kontrollet janë funksionale dhe Zyra e Prokurimit nuk duhet të nënshkruajë asnjë kontratë publike pa zotim të mjeteve, ose ndërmerr obligim në një shumë që i tejkalon fondet e ndara”, thuhet më tutje në raport.
Mosekzekutimi i pagesave në afatin ligjor
Sipas Rregullës Financiare 01-2013 MF- Shpenzimi i parave publike, OB-ja duhet që çdo faturë të vlefshme për pagimin e mallrave dhe shërbimeve të pranuara ta paguajë brenda 30 ditësh kalendarike nga data e pranimit të faturës.
“Për më tepër, kemi identifikuar se në shtatë raste kishte tejkalim të afatit ligjor (30 ditë) për pagesën e obligimeve. Tejkalimi ishte në SIMFK (raporti i furnitorëve) dhe ka ndodhur pasi që Komuna nuk ka zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm me rastin e pranimit të faturave, ngase faturat e pranuara nuk protokollohen ashtu siç kërkohet me Rregulloren Financiare 01/2013 për Shpenzimin e Parasë Publike. Vlen të theksohet se pas këshillës gjatë procesit të auditimit në fazën e ndërmjetme zyrtarët përgjegjës në fazën finale kryejnë protokollimin e faturave me rastin e pranimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Si pasojë e vonesave të pagesave dhe mungesës së informacioneve të plota mund të dobësohet aftësia e Komunës për të parashikuar dhe për të menaxhuar nevojat për likuiditet. Po ashtu Komuna mund të përballet me kosto shtesë të interesave e të gjobave për vonesat në pagesa.
“Kryetari duhet të forcojë kontrollet në procesin e menaxhimit të pagesave për të siguruar që faturat protokollohet me rastin e pranimit dhe paguhen brenda afatit ligjor”, rekomandon auditori.