Shala: Të ndryshojë procedura e rekrutimit në AKI

Interesim të madh ka zgjuar konkursi publik i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për përzgjedhjen e agjentëve të fshehtë. Qindra qytetarë janë parë të premten që lamë pas, por edhe dje para dyerve të këtij institucioni duke pritur për ta dorëzuar aplikacionin. Ekspertët e sigurisë thonë se duhet të ketë ndryshime mbi procedurën e rekrutimit në këtë institucion, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, është shprehur për “Zërin” se çështjet e rekrutimit të agjentëve të rinj në AKI, përcaktohen me ligj.

Për shkak të mbikqyrjes së AKI-së nga ana e parlamentit Shala thotë se procedurat e rekrutimit nuk mund të zhvillohen në konfidencialitet të plotë por që sipas tij nevojitet që të plotësohet ligji mbi formën e rekrutimit.

“Mbikqyrja e autoritetit civil (Parlamenti) e pa mundëson që procedurat e rekrutimit për të qenë pjesë e AKI-së të mund të zhvillohen në konfidencialitet dhe mendoj që në këtë pikë mund të ngritet një plotësim/ndryshim i ligjit mbi formën e rekrutimit. Mendoj që duhet të ketë ndryshime mbi procedurën e rekrutimit në harmonizim me kërkesat e drejtorit të AKI-së, që kjo të zhvillohet duke mos shpallur konkurs publik por të bëhet seleksionimi i "agjentëve potencialë" në një periudhë testuesedhe monitoruese nga agjentët që punojnë në agjencion”, ka thënë Shala.

Shala thotë se “agjentët potencialë” mund të jenë bashkëpunëtorë apo informatorë të AKI-së të cilëve u është bërë verifikim paraprak për saktësinë e informatave të tyre në mënyrë që të marrin statusin e agjentit.

“Agjentët protencialë mund të jenë bashkëpuntorët, informatorët të cilët janë të lidhur në periudhën minimum 5 vjeçare ku ndaj tyre për të patur këtë status ju është bërë një verifikim operativ për këtë status dhe ku saktësia e informacioneve i ka shërbyer agjencionit për të kryer veprimet operative për ruajtjen e sigurisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Tutje Shala ka përmendur edhe mënyrën se si është e rregulluar me ligj çështja e rekrutimit të agjentëve në AKI.

“Lidhur mbi çështjen e rekrutimit për punonjës të rinj në AKI është e rregulluar me ligjin nr 3/L-063 ku në nenin 7.3 pika 6 , drejtori i AKI-së e harton rregulloren sipas nevojave apo parametrave të gjendjes se brendshme të AKI-së për plotësim dhe ndryshim në organet e brendshme të kwsaj strukture, duke vendosur specifikat se në cilën fushë ka nevojë më shumë për personel të ri apo zhvendosje të personelit brenda struktures”, ka deklaruar Shala. /ZERI