Hoxha: Raporti i KE-së për Kosovën s’është plotësisht negativ
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Kosovës i duhet një dinamikë më e shpejtë sa i takon procesit të integrimit, raporton zeri.info.
Në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike për të diskutuar rreth raportit të progresit, Hoxha ka vlerësuar se raporti i Komisionit Evropian nuk është plotësisht negativ, përkundrazi sipas saj ka pasur ca progres nga ky raport.
“Nuk them se është raport plotësisht negativ. Edhe pajtohem që jemi në fillim të procesit, në fakt nuk jemi as në fillim të procesit, sepse nuk jemi vend kandidat, kemi shumë punë për te bërë. Por mendoj që na nevojitet një dinamikë më e shpejte, na nevojitet një konsensus i gjerë, sepse raporti nuk është vetëm i qeverisë e kuvendit, por i të gjithëve”, ka deklaruar ajo.
Me këtë rast, Hoxha ka thënë se institucionet e vendit kanë filluar qysh dje t’i analizojnë hapat që duhet ndërmarrë për zbatimin e rekomandimeve të raportit.
“Institucionet e Kosovës kanë filluar qysh dje, me pranimin e raportit, analizën e raportit dhe të shikojnë mundësitë që mund t’i ndërmarrim që raporti në të ardhmen të jetë më i mirë. Është me rëndësi të fokusohemi te rekomandimet që dalin nga ky raport. Prioritet jemi duke i dhënë rekomandimeve që përsëriten sepse nuk duam të kemi në raportin e ardhshëm rekomandime që përsëriten”, ka potencuar ajo.
E para e MIE-së ka vlerësuar se tek sistemi i drejtësisë në raport është dashur të theksohen edhe disa pika sa i përket rritjes së numrit të gjyqtarëve e prokurorëve.
“Sa iu përket të gjeturave dua të theksoj se në raport kemi parë që kemi progres, nuk është se nuk kemi progres. Edhe pse sa i përket sundimit të ligjit aty ish dashur të ketë edhe ndonjë rresht sa iu përket rritjes së pagave të gjytarëve, rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse të gjithë e kemi kërkuar këtë”, ka shtuar ajo.
Ndaj, krejt në fund, Hoxha tha se rekomandimet që dalin nga ky raport do të merren me seriozitetin më të plotë nga institucionet e Kosovës./ZËRI