Lapidar Lladrovci mendon se këta dy futbollistë të Feronikelit, janë më afër Përfaqësueses së Kosovës

Kosova tashmë ka nisur përgatitjet për dy sfidat e radhës në muajin qershor ku ndeshet me Malin e Zi dhe Bullgarinë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, para disa orëve e ka zbuluar listën e lojtarëve të ftuar për ato dy ndeshje, dhe ajo çfarë bie në sy është mungesa e futbollistëve nga kampionati vendor (përjashtuar portierin Visar Bekaj që vjen nga Prishtina).

Analistët sivjet e kanë vlerësuar se kampionati ka qenë njëri nga më të mirët e pasluftës, dhe kjo detyrimisht na ka shtyrë të besojmë se ndonjë lojtar i skuadrës kampione- Feronikelit, do të jetë në atë listë, kjo edhe për faktin se ata janë afër edhe trofeut të dytë,Kupës së Kosovës.

Megjithatë, duket se në kampin e “Niklit” nuk ka hatër-mbetje, kështu së paku mund ta kuptojmë nga deklarata e kapitenit të kësaj skuadre,Lapidar Lladrovci dhënë për “Kosova Sot Online”.

“Nuk mund ta gjykoj, vendimin e trajnerit Challandes për mos ftesën e ndonjë futbollisti nga klubi im, sepse nuk më takon dhe nuk kam të drejtë si futbollist, poashtu si mirënjohës dhe besues ndaj punës së mrekullueshme të Challandes në drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës”, ka thënë në fillim të bisedës, mbrojtësi dhe kapiteni i kampionëve Lapidar Lladrovci, i cili megjithatë beson se disa lojtarë të “Niklit” duhet të jenë në mesin e të ftuarave te Kosova në një të ardhme të afërt.

“Kam besim të plotë që në të ardhmen e afërt do të ftohen lojtarë nga klubi i Feronikelit, nëse veç vazhdon dominimin në futbollin e Kosovës, siç ka bërë viteve të fundit. Në bazë të moshës, performancës dhe mundësisë së zhvillimit edhe me tej, më afër përfaqësueses e shoh Albert Dabiqajn dhe Mendurim Hotin, tek të cilët kam besim se me punë dhe angazhim mund të arrijnë të marrin ndonjë ftese nga ekipi përfaqësueses”, ka përfunduar Lladrovci.