Shkrimtarët shqiptarë e të huaj mblidhen për orë letrare në Vjenë
Arti, pikturat e tingujt e harpës të luajtur nga Veronica Klavzor e ndryshuan atmosferën e galerisë në qendrën e Vjenës. Lidhja e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri në kuadër të “Javës së Integrimit” në Vjenë organizuan orë letrare artistike, ku autorët prezantuan veprat e përkthyera në gjermanisht dhe lexuan prej tyre.
Anton Marku, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, ka hapur mbrëmjen duke treguar një historik për aktivitetet e lidhjes dhe që realisht është edhe qëllimi i kësaj lidhjeje. “Qëllimi i Lidhjes sonë është që me aktivitet tona të sjellin më shumë vepra letrare të krijuesve nga diaspora të përkthyera për lexues, para se gjithash të atyre vendorë”, tha Marku.
Në emër të nikoqirit përshëndeti Hubert Thurnhoffer, pronari i Galerisë ku është mbajtur aktiviteti, duke falënderuar organizatorin për bashkëpunimin, ai tha se galeria e tij e artit ka qëllim ndërtimin e urave kulturore mes kombeve.
Në mesin e shumë studiuesve albanologu Kurt Gostentschnigg ka folur rreth veprave të përkthyera prej tij të autorëve Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Mërgim Osmani.
Ai ka vlerësuar poezitë e Besim Xhelili dhe ka thënë se poezia e tij vjen nga muza e frymëzimit. “Poezia e Besim Xhelilit mund të kuptohet sipas dy konteksteve: së pari sipas kontekstit të biografisë së autorit dhe shoqërisë dhe së dyti interpretimin e veprës sipas frymëzimit të dalë nga zemra. Te poezia e Besimit kuptimi vjen nga muza e frymëzimit, gjegjësisht nga fuqia e shpirtit dhe zemrës”, vlerëson albanologu.
Ai po ashtu lexoi disa poezi në gjermanisht nga libri “Sy të pafajshëm” (Unschuldige Augen) të përkthyer nga ai, kurse në shqip nga ky libër lexoi Marsela Xhaferaj.
Peter Paul Wiplinger, shkrimtar austriak, shkroi parafjalën e veprës “Kohëthyerja” (Zertrümmerung der Zeit) të autorit Hazir Mehmeti, që vlerësohen si histori të thjeshta në një gjuhë të thjeshtë. “Është një art të shkruari në frymën e kohës dhe të letërsisë. E bazuar natyrisht në trashëgiminë e mënyrës së të rrëfyerit të traditës së letërsisë shqiptare, por arti i të shprehurit dhe kultura gjuhësore e Hazir Mehmetit janë shumë afër realitetit. Këtu rrëfen një autor histori të thjeshta, në një gjuhë “të thjeshtë” e të qartë. Pikërisht për këtë kjo mënyrë të rrëfyeri ka stil dhe kualitet”, ka thënë Wiplinger.
Ai më tutje ka theksuar se libri është një urë letrare lidhëse ndërmjet dy botëve, botës së vjetrës dhe asaj të re, si dhe të kulturave të tyre, por edhe ndërmjet së kaluarës dhe së sotmes, ndërmjet atdheut dhe mërgimit. Para së gjithash vlerësohet si një lidhje ndërmjet autorit dhe lexuesit.
Elona Kamberi ka lexuar pjesë nga tregimi “E ftuara” në gjermanisht nga përmbledhja “Kohëthyerja” e autorit Hazir Mehmeti, vepër kjo që siç mësohet u botua nga P.E.N. - Klubi Austriak, kurse redaktor i librit është dr. Helmut Niederle, kryetar i klubit.
Marzanna Danek, poetja polake e cila jeton në Austri, ka lexuar disa poezi nga përmbledhja e saj e fundit në gjuhën gjermane. Përndryshe, siç mësohet, Marzanna ka fituar disa çmime të larta në vendlindjen e saj dhe në Austri.
Siç vlerësohet, lidhja e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri ka bërë emër në afirmimin e krijuesve shqiptarë që jetojnë në Austri. Janë ndërtuar ura miqësie arti e më shumë se aq me klube e shoqata kulturore të shumta në Austri. Ka bërë miq të shumtë nga radhët e krijuesve vendorë, pa të cilët nuk do të mundë të kishte kaq shumë fryte puna e Lidhjes nën drejtimin e veprimtarëve drejtues të zellshëm.
Tani ka raporte të afërta bashkëpunimi me P.E.N. - klubin austriak rreth të cilit veprojnë mijëra krijues kombesh të ndryshme në Austri e më gjerë. P.E.N. - është edhe botues (për herë të parë) i disa veprave të autorëve shqiptarë në Austri.
Vetë “Java e Integrimit” në Vjenë flet mbi afirmimin e krijimtarisë letrare shqiptare në hapësirat e panjohura deri tani gjermanofolëse.
Shumë nga aktivitetet letrare u mbështetën nga donatorë artdashës dhe konkursi letrar vite më parë nga Ministria e Diasporës. Vlerësimi përfundimtar që u dha nga pjesëmarrësit ishte që “ura më e fuqishme e njohjes dhe komunikimit me të tjerët është fjala e artit, kjo nuk na mungon, andaj kërkohet mbështetje akoma më e fuqishme e Lidhjes në botimin e veprave me vlera të mirëfillta”.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte gjithashtu Roland Bimo, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri. Tani e disa kohë në aktivitetet letrare aq me vlerë mungojnë përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri.