Transformimi i ngadaltë i FSK-së
Janë bërë gati pesë muaj prejse pakoja e projektligjeve për formimin e Ushtrisë së Kosovës është votuar në Kuvendin e Kosovës (dhjetor 2018) dhe më pas është dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi për zyrtarizim. Rrjedhimisht tri projektligjet që i dhanë mision shtesë FSK-së hynë në fuqi në janar të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se deri më tash ka përfunduar procesi i rekrutimit të 650 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Procesi i transformimit, sipas tyre, është në përfundim të fazës së përcaktimit dhe harmonizimit të dokumenteve nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionalizimin e FSK-së sipas misionit të ri. Por ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë konsiderojnë se këto procedura është dashur të kryhen për një periudhë më të shpejtë kohore. Sipas tyre, çështja e ristrukturimit është dashur të rregullohet brenda tremujorit të parë pas bërjes së Ushtrisë. Ngecje në procesin e transformimit sipas tyre, pos në ristrukturim, ka pasur edhe në disa pika të tjera. Deri më tash, siç ata janë shprehur, do të duhej që Shtabi i FSK-së të veçohej, të formësohej me një aktivitet ushtarak, në mënyrë që të shihej se si mund të funksionojë me detyra shtesë ushtarake. Ngecja e tretë sipas ekspertëve të sigurisë ka të bëjë me mosvënien e figurave të reja nëpër udhëheqje të shtabeve, komandave e njësive më të ulëta.
Rekrutimi i 650 ushtarëve të rinj
Të pyetur lidhur me ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së, nga Ministria e Mbrojtjes i kanë thënë gazetës “Zëri” se deri më tash ka përfunduar procesi i rekrutimit i mbi 600 ushtarëve të rinj. “Ka përfunduar sipas procedurave standarde procesi i rekrutimit të 650 ushtarëve të rinj të FSK-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Procesi i transformimit sipas Zyrës për Informim të Ministrisë së Mbrojtjes është duke shkuar sipas planifikimit të bërë. “Procesi i transformimit është në përfundim të fazës së përcaktimit dhe harmonizimit të dokumenteve nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionalizimin e FSK-së sipas misionit të ri. Sa i përket procesit të transformimit, gjithçka është duke u zhvilluar sipas afateve të planifikuara”, potencohet me tutje në përgjigje.
Ngecjet në transformimin e FSK-së
Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka vlerësuar për “Zërin” se ka pasur ngecje në disa pika sa i përket procesit të transformimit të FSK-së. E para sipas tij ka të bëjë me çështjen e ristrukturimit. “Përveç një plotësimi prej rreth 600 njerëzve që është paraparë të rekrutohen në këtë forcë, çështja e ristrukturimit ose formësimit për mendimin tim ka qenë e ngadalshme. Nuk është dashur të pritet tre muaj që ajo të ristrukturohet, por është dashur për një kohë shumë të shkurtër të formësohet”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Pos kësaj, sipas Qehasë, është dashur të kryhen edhe disa aktivitete të tjera ushtarake. “Është dashur të bëhen disa aktivitete të karakterit ushtarak, pasi që veç janë aprovuar ligjet. Është Ministria e Mbrojtjes, është shtabi, domethënë shtabi duhet të veçohet tash, në mënyrë të veçantë të formësohet, atëherë është dashur një aktivitet së paku ushtarak, një demonstrim në këtë drejtim. Ndoshta për shkaqe politike kjo nuk është bërë, por është dashur në një mënyrë të shihet sesi mund të funksionojmë edhe me detyra shtesë ushtarake dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka shtuar ai.
Këto çështje, sipas Qehasë, është dashur të kryhen në mënyrë të përshpejtuar, por ngecjet sipas tij nuk përfundojnë këtu, pasi që pika e tretë ka të bëjë me mosvënien e figurave të reja nëpër pozitat udhëheqëse të FSK-së. “E treta, çështja e udhëheqjes dhe e komandimit. Kjo duhet të rregullohet, njerëzit më të rinj të prijnë në disa detyra që duhet t’i kryejnë. Duhet t’u jepet më shumë shans që të vihen në krye të shtabeve, komandave, njësive më të ulëta e që duhet t’i udhëheqin ato”, është shprehur ai.
Përgatitjet për transformim
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Haxhi Shala, ka thënë për “Zërin” se FSK-ja çdo ditë është duke e bërë transformimin e saj drejt plotësimit të misionit. “Në kuadër të këtij transformimi është duke u përgatitur komplet dokumentacioni ose baza ligjore që duhet të ndërrohet, udhëzimet, rregulloret, komplet pjesa e dokumentacionit. Njëkohësisht edhe përgatitjen e njësive të tjera, që janë njësi të reja të cilat i përshtaten misionit mbrojtës në kuadër të FSK-së. Por janë disa elemente të cilat nuk shihen me sy”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë Shala ka thënë se çdo ditë punohet që Ushtria e Kosovës të jetë e gatshme ta realizojë misionin i cili parashihet me ligjet e reja para afatit të paraparë prej 10 vjetësh. Ndaj ai ka konsideruar se nuk duhet të ecet me nxitim në këtë drejtim. “Është duke shkuar me hapa të sigurt, nuk ka nevojë të ngutet, por të shkojë me hapa të sigurt dhe ato të cilat i ndërton t’i ndërtojë me bazë shumë të fuqishme dhe të qëndrueshme”, ka potencuar Shala, shkruan Gazeta "Zëri".
Për dallim prej tij, Ramadan Qehaja ka vlerësuar se duhet të ecet më shpejt në përmbushjen e pikave kyçe të transformimit, pasi që tashmë edhe ashtu është mjaft vonë. “Duhet të shkohet pak më shpejt në shumë çështje, sepse ne jemi në vonesë shumë të madhe, në vonesë rreth 10-vjeçare”, ka potencuar Qehaja.
Situata jo e mirë e sigurisë në rajon
Ramadan Qehaja ka vlerësuar se ushtarakët e Kosovës duhet të jenë më të zëshëm dhe t’i kryejnë detyrat e tyre vepruese. Kjo pasi, sipas tij, rrezikshmëria nga rrethimi serb, nga tendencat hegjemoniste, janë në horizont dhe ato po shihen tashmë çdo ditë. “Faktikisht e kemi një gjendje të konfliktit të ngrirë, kurse ne këtu punojmë dhe veprojmë shumë ngadalë sikur të mos kishte asgjë. Kjo nuk është vetëm çështja e rrethimit me Serbinë, por në tërësi në rajon po shihet që situata nuk është aq e mirë në aspektin e sigurisë”, ka potencuar ai.
Sipas ekspertit të sigurisë, gjatë ditës së djeshme për herë të parë forcat ushtarake serbe kanë mbajtur një paradë në Nish në mënyrë të qëllimshme. “Është mbajtur një paradë mjaft e madhe ushtarake, policore serbe, me pjesëmarrjen e më tepër se 4 mijë pjesëtarëve të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe, me tanke, helikopterë e armatim të sofistikuar. Për herë të parë mbahet një paradë e tillë pikërisht në Nish, që do të thotë është një paraqitje ushtarake qëllimisht në Serbinë Jugore të forcave që gravitojnë kah kufiri i Kosovës. Kjo tregon se duhet të jemi vigjilentë dhe të kemi një gatishmëri të lartë vepruese me njësitet tona të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës”, ka potencuar ai./ZËRI