Sheshi “Skënderbe” shpërblehet për arkitekturën më të mirë në Evropë

 

Pas çmimit prestigjioz evropian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë, sheshi “Skënderbe” në Tiranë ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar, sheshi ka fituar çmimin e dytë për arkitekturën më të mirë në Evropë.

Mësohet se mes 393 projekteve që garonin për Çmimin e Bashkimit Evropian për Arkitekturën Bashkëkohore, sheshi “Skënderbe” mbërriti deri në finalen e madhe dhe fitoi çmimin e vendit të dytë, duke marrë vlerësimet më të larta nga juria profesioniste nga e gjithë Evropa për fuqinë transformuese, përqendrimin te këmbësorët, qëndrueshmërinë dhe gjelbërimin.

Ajo që ra në sy ishte gara e fortë dhe rezultati tejet i ngushtë i votimit 4-3 në fazën finale, mes sheshit “Skënderbe” në Tiranë dhe projektit fitues të studios së famshme franceze “Lacaton-Vasal”, e cila konkurronte me një projekt godinash banimi dhe shërbimi në Bordo të Francës.

Ishte nënkryetari Arbjan Mazniku ai që mori çmimin në emër të Bashkisë së Tiranës në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku vlerësohet përsosmëria dhe inovacioni në fushën e arkitekturës.

Rikujtojmë se vitin e kaluar sheshi “Skënderbe” është shpallur në Barcelonë “Hapësira Publike më e Bukur”. Në një ceremoni ku konkurronin 280 projekte, Çmimi Evropian për Hapësirën më të Mirë Publike iu dha sheshit “Skënderbe” të Tiranës.