Kosova sipas nobelistit Mario Vargas Llosa
Këto ditë doli nga shtypi libri “Çështja e Kosovës”, i nobelistit peruan Mario Vargas Llosa. Titulli i librit me ese që trajtojnë çështjen e Kosovës është vënë në marrëveshje me autorin. Ky libër shfaq mendimin dhe mbështetjen e humanistit Mario Vargas Llosa për ndërhyrjen e trupave të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb, shkruan sot gazeta "Zëri".
Gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, kur Kosova përballej me regjimin e egër serb, intelektualët e perëndimit u ndanë në dy taborë: në përkrahës të Kosovës dhe në përkrahës të Serbisë. Mario Vargas Llosa ishte më i zëshmi ndër përkrahësit e çështjes së Kosovës, duke e akuzuar vazhdimisht regjimin e Millosheviqit për gjenocid ndaj popullatës kosovare dhe duke polemizuar me intelektualë të shumtë botërorë.
Në esetë që publikoi në mediet spanjolle e të cilat i përzgjodhi ekskluzivisht për botimin në gjuhën shqipe me titullin “Çështja e Kosovës” Vargas Llosa shfaqet si një mbështetës i zjarrtë i shqiptarëve të Kosovës dhe si një intelektual që ndërgjegjëson të huajt për përkrahjen e intervenimit të NATO-s në Kosovë. “Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë dy milionë kosovarë humbin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, tokat e tyre dhe shumica jetën e tyre. Kjo bindje shumë prej nesh na bën, jo pa frikë e dyshime, ta mbështesim ndërhyrjen”, thotë Vargas Llosa në esenë “Zjarrmitë pacifiste”, të botuar në librin “Çështja e Kosovës”, të botuar këto ditë në gjuhën shqipe. “Konflikti aktual i Kosovës filloi dhjetë vjet më parë, kur Millosheviqi, për ta arritur pushtetin absolut në Jugosllavi, shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe nxiti fushatën nacionaliste në favor të Serbisë së Madhe, që rezultoi me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë, me masakrat dhe copëzimet pasuese të Bosnjës. Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviqit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe instalimi i demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë që në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë të negocionte me kosovarët, një sistem bashkekzistimi ose pavarësie, që do të sillte paqe në rajon”, thotë Llosa.
Librit i prin një parathënie nga prof. dr. Blerim Latifi, i cili e analizon gjendjen e Kosovës së asaj kohe dhe qëndrimin e intelektualëve botërorë për çështjen e Kosovës. “Për disa NATO-ja kishte cenuar njërin nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, parimin e sovranitetit të shteteve. Kaq mjaftonte që sulmi mbi Jugosllavinë të shihej si një agresion brutal klasik dhe Millosheviqi si një luftëtar në mbrojtje të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Noam Chomsky, Alain Badiou, Peter Handke, Régis Debray e ndonjë tjetër ishin në mesin e intelektualëve që mbrojtën një pikëpamje të tillë, duke e shtuar me këtë listën e intelektualëve që autoritetin e tyre akademik e vunë në shërbim të shkatërruesve të lirisë njerëzore dhe në të njëjtën kohë u bënë edhe një çekiç më shumë në duart e rrënuesve të racionalizmit etik të iluminizmit. Në kundërshtim me ta, emra të tjerë shumë të njohur të filozofisë, letërsisë dhe artit perëndimor zhvilluan pikëpamjen mbi drejtësinë dhe arsyeshmërinë e ndërhyrjes së NATO-s. Në mesin e tyre gjejmë emra të tillë si Jürgen Habermas, Günter Grass, Bernard Henri Lévy, Jean Baudrillard, Edgar Morin, Václav Havel, Alain Finkielkraut, Zbigniew Brzezinski e shumë e shumë të tjerë. E gjejmë po ashtu edhe Mario Vargas Llosan, shkrimtarin nobelist peruan”, thotë profesor Latifi në parathënien e tij.
Libri “Çështja e Kosovës” është përkthyer nga Orjela Stafasani, e cila më parë ka përkthyer edhe libra nga Sabato, Pirandello, Pavese, Borges etj.
Libri, i botuar me rastin e 20-vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, gjendet në të gjitha libraritë e Prishtinës. Zëri