Kosova nis shkëlqimin edhe në tenis
Në renditjen përfundimtare të FED Cup, të mbajtur në Helsinki të Finlandës, Kosova doli e katërta, ndërsa fituese ishte Finlanda, e dyta ishte Qiproja e në pozitën e tretë u rendit Lituania
Sa herë përmendet sporti i tenisit në Kosovë sigurisht se emri i parë që lakohet është ai i Arben Islamit, njërit prej tenistëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë Kosova, madje është tenisti i parë dhe i vetëm që është gjendur ndonjëherë në listën e tenistëve më të mirë të botës, të njohur si ATP.
Nën drejtimin e tij ditë më parë Përfaqësuesja e Kosovës në tenis ka marrë pjesë në FED Cup për femra, që është mbajtur në Helsinki të Finlandës. Në këtë garë Kosova ka dalë e katërta, teksa ka shënuar tri fitore dhe e ka pësuar një humbje, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Kosova, tri fitore e një humbje
Në një bisedë për “Zërin” Islami rrëfen për garat, por ndërkohë ai tregon edhe për paraqitjen e tenisteve të Kosovës në këtë garë, që është më madhja ku ato kanë marrë pjesë ndonjëherë.
“Në Finlandë kemi arritur sukses shumë të madh, duke u plasuar në pozitën e katërt, nga 10 shtete pjesëmarrëse, duke lënë më poshtë ekipe kombëtare siç janë Maqedonia Veriore, Malta ose edhe Islanda, që ka tenis shumë të zhvilluar”, tha Islami.
“Gara në Helsinki nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. Që në ditën e parë në përballje me Qipron Donika Bashota e demoloi tenisten e fortë nga ai shtet me 6:0 dhe 6:3, ku të gjithë të pranishmit e panë që Kosova do të jetë në mesin e shteteve më të forta. Kjo edhe ndodhi, ani pse humbëm nga Qiproja 1:2”, tha më tej Islami, për të shtuar se ekipi origjinal i Qipros nuk do të ishte i fortë nëse ata “nuk do ta importonin” tenisten numër 200 nga Rumania, Raluca Georgiana Serban.
Por, sipas Islamit, edhe Finlanda kishte vepruar në të njëjtën mënyrë, duke ia dhënë nënshtetësinë një tenisteje ruse. “Në ditën e dytë Kosova kishte shënuar fitore ndaj Maqedonisë Veriore me rezultat 2:1, ndërsa vetëm një ditë më vonë para tenisteve tona “ishin dorëzuar” edhe algjerianet, duke e fituar meçin me rezultat të pastër 2:0”, tha Islami për “Zërin”.
Kosova kishte shënuar fitore edhe ndaj Kongos, me rezultat 2:0. “Me këtë fitore Kosova, me një humbje dhe 3 fitore, u rendit në vendin e dytë në tabelë, pas Qipros, por para Maqedonisë, Algjerisë dhe Kongos. Për neve ky ishte sukses i madh, pasi Kosova merr pjesë në FED Cup vetëm nga viti 2016”, tha më tej Arben Islami, që ishte kapiten i Përfaqësueses së Kosovës.
Arben Islamit i vjen keq që në ndeshjen e fundit Kosova pësoi humbje nga Lituania. “Në ditën e 6-të filluam mirë dhe u vërejt dallimi në lojën e Donikës kundër kundërshtares nga Lituania. Patëm bindjen se do ta fitojmë lehtë, por Donika filloi të tregojë shenja të lodhjes nga meçet e përparshme. Këtë e shfrytëzoi kundërshtarja e saj dhe e mundi. Në meçin e dytë edhe Arlinda humbi njëjtë, pasi ishte shumë e lodhur”, shtoi Islami.
Në renditjen përfundimtare Kosova doli e katërta, ndërsa fituese ishte Finlanda, e dyta ishte Qiproja e në pozitën e tretë u rendit Lituania.
Pa mbështetje të duhur
Duke folur për suksesin e arritur, Islami i tha “Zërit” se Përfaqësuesja e Kosovës ishte e përbërë nga tenistet që luajnë jashtë Kosovës, por edhe të tilla që luajnë në Kosovë.
“Ne e kemi pasur një ekip të përbërë prej tenisteve që luajnë jashtë Kosovës, pasi Arlinda Rushiti (Zvicër) dhe Donika Bashota (Suedi) luajnë jashtë, në Zvicër, përkatësisht në Suedi, ndërsa Blerata Ukëhaxhaj dhe Vesa Gjinaj aktivitetin tyre e zhvillojnë në Kosovë”, tha Islami.
Ndërkohë Islami përmend edhe mosmbështetjen institucionale për pjesëmarrjen e tyre në Finlandë, teksa thotë se ata janë ndihmuar nga Federata e Tenisit e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Islami e ka edhe një vërejtje shumë të madhe për drejtuesit e sportit në vend, teksa thotë se në sportin e tenisit ka më shumë se 6 vjet që nuk është investuar asgjë.
“Ka më shumë se 6 vjet që në sportin e tenisit nuk është investuar asgjë, të paktën në ndërtimin e ndonjë fushe të tenisit, e cila do t’i plotësonte standardet ndërkombëtare”, tha Islami. Ai më tuje bëri edhe një krahasim shumë interesant, por “të dhimbshëm”, teksa tha se në Helsinki ndeshjet e FED Cup, ku ishte pjesëmarrëse edhe Kosova, kanë luajtur në fushat e Tennis Club Tali, i cili kishte madje 70 fusha të tenisit, prej tyre 28 të mbyllura.
Do të vijnë ditë të mira
Megjithatë, Islami thotë se tenisin e Kosovës e presin ditë të mira, pasi kohëve të fundit nëpër klubet kosovare ka shumë të rinj që janë duke u marrë me këtë sport. “Tenisin e Kosovës e presin ditë shumë të mira në të ardhmen, për arsye se nëpër klubet tona ka shumë të rinj të moshave 7 deri 15-vjeçare që janë duke u stërvitur nën përkujdesjen e trajnerëve të tyre”, saktësoi Islami, ndërsa thotë se për 5 vjet do të kemi të paktën një tenist që do të ketë karrierë shumë të ndritshme në këtë sport.
Ukëhaxhaj ndihet e lumtur
Njëra prej tenisteve të Përfaqësueses së Kosovës, Blearta Ukëhaxhaj, i tha “Zërit” se ky është një sukses i madh për tenisin e Kosovës.
“Ne kemi arritur një sukses të madh në Kampionatin Botëror për femra, i njohur si FED Cup, ndërsa unë ndihem shumë e lumtur që si teniste luaj në Kosovë, jam pjesë e ekipit kombëtar, gjë e cila tregon më së miri se edhe në Kosovë tenisi zhvillohet në nivele të lata”, tha Ukëhaxhaj për “Zërin”.
Renditja komplete:
1. Finlanda
2. Qiproja
3. Lituania
4. Kosova
5. Maqedonia Veriore
6. Malta
7. Algjeria
8. Islanda
9. Kongoja
10. Kameruni./Zëri/