Prishtina, “kryeqyteti” botëror i hendbollit

Kombëtarja A do të takohet me Izraelin të mërkurën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, ndërsa kombëtaret U-19 dhe U-21 do të jenë pjesë e IHF Trophy Intercontinental

Që nga e mërkura e deri të dielën kryeqyteti i Kosovës - Prishtina do të jetë mikpritëse e tri ngjarjeve shumë të rëndësishme në hendboll. Së pari, të mërkurën duke filluar prej orës 19:15 Kombëtarja A do ta zhvillojë ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër Izraelit. Mu për këtë ndeshje, por edhe për atë që do të zhvillohet më 14 prill në Tel Aviv, Kombëtarja A ka qenë në Stamboll të Turqisë për t’u përgatitur sa më mirë. Me këtë rast Kosova i ka luajtur edhe dy ndeshje miqësore me Turqinë, ku në njërën ka barazuar (25:25), ndërsa të dytën e ka humbur me rezultat 22:29. Dy ngjarjet tjera janë në kuadër të IHF Trophy Intercontinental për grupmoshat U-19 dhe U-21, shkruan sot gazeta "Zëri".

U-19, gjeneratë premtuese

Në grupmoshën U-19 zhvillohet gara prestigjioze IHF Trophy Intercontinental, që për hendbollistët tanë është një mundësi e mirë për zhvillim të mëtejmë në gara ndërkombëtare.

Kombëtarja U-19 është në fazën finale të përgatitjeve. Synim natyrisht është triumfi në garën që prej të mërkurës organizohet në Prishtinë. Djelmoshat e rinj presin edhe përkrahjen e adhuruesve të hendbollit në sfidat që mund t’ia sjellin suksesin e madh Kosovës. Kjo gjeneratë në vjeshtë fitoi garën IHF Trophy për Evropë. “Përgatitjet kanë kaluar sipas planifikimit. Fillimisht janë bërë testimet e aftësive motorike, qëndrueshmërisë, aftësive anaerobe dhe aerobe. Nga gjithsej 27 lojtarë i kemi përzgjedhur 18. Ftesës i janë përgjigjur të gjithë lojtarët e ftuar, duke përfshirë Vilson Gojanin, që luan në Itali dhe është një ndihmë e madhe për këtë grupmoshë”, ka thënë trajneri i U-19 të Kosovës, Jeton Havolli.

Ai më tej ka paraqitur synimet: “Synimi është vendi i parë, duke marrë parasysh që jemi kampion të IHF Trophy për Evropë, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar. Jam i kënaqur me lojtarët që i kemi në dispozicion. Kryesisht janë lojtarët e njëjtë, me disa ndryshime të vogla. Konkurrent mendoj se do të kemi Taipein Kinez e Nigerinë, edhe pse nuk kemi informata për konkurrentët tjerë. Kjo garë do t’u shërbejë shumë djelmoshave të kësaj gjenerate për zhvillim të mëtejmë në gara ndërkombëtare. Pres që shumica të kalojnë në grupmoshën U-21, mendoj që është një gjeneratë premtuese”, ka thënë Havolli.

Kosova U-19 është në grupin B së bashku me Kanadanë e Zelandën e Re. Në grupin A janë Nigeria, Paraguai e Taipei Kinez.

Fituesi në U-21, pjesëmarrës i Botërorit të juniorëve

Kombëtarja U-21 e Kosovës në hendboll është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për paraqitje në garën e rëndësishme IHF Trophy Intercontinental.

Në kombëtaren e Kosovës janë të vendosur për të shfrytëzuar mundësinë e madhe që e kanë para vetes. Fituesi i garës IHF Trophy Intercontinental në grupmoshën U-21 kualifikohet për në Botërorin e juniorëve, që mbahet në verë në Spanjë. Te Kosova pritet shumë nga Drenit Tahirukaj, që kishte shënuar golin vendimtar në triumfin e Kosovës në IHF Trophy për Evropë, që po ashtu ishte mbajtur në Prishtinë. “Jam shumë i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar përgatitjet deri më tani. Mendoj se jemi gati për këtë sfidë të madhe dhe të gjithë jemi të përqendruar në objektivin e vetëm, i cili është kualifikimi në botëror”, ka thënë Drenit Tahirukaj.

Kjo gjeneratë kishte pasur paraqitje të mira në vjeshtë në IHF Trophy për Evropë për grupmoshën U-20. Tani grupi është përforcuar me katër lojtarë, që bëjnë karrierë në Evropë: Albin Xhafolli, Blendi Dalladaku, Adrian Halili e Rinor Avdulli. “Jemi përshtatur shumë mirë dhe besoj që do të jenë një ndihmë e madhe për ekipin kombëtar. Kundërshtarët nuk i njohim shumë mirë, sepse nuk jemi takuar asnjëherë me ta, por jemi të përgatitur për të gjitha sfidat dhe do të japim maksimumin për të shkruar historinë”, ka theksuar Drenit Tahirukaj.

Kombëtarja U21 po punon nën urdhrat e trajnerit Fatmir Muhaxheri, që ishte në krye të kësaj grupmoshe në triumfin e vjeshtës. Të shtunën e të dielën janë ndeshjet për plasman përfundimtar.

Orari i ndeshjeve

U-19

E mërkurë (1 Tetori)

14.00: Zelanda e Re – Kanada

17.00: Taipei Kinez - Nigeria

E enjte (Pallati i Rinisë)

13.00: Paraguai - Taipei Kinez

19.00: Kosova - Zelanda e Re

E premte

13.00: Nigeria - Paraguai

17.00: Kanadaja - Kosova

Të shtunën janë gjysmëfinalet e të dielën finalja dhe ndeshja për vend të tretë.

U-21

E mërkurë

Grupi A

E mërkurë

15.00: Kosova - Taipei Kinez

E enjte

17.00: Taipei Kinez - Nigeria

E premte

19.00: Nigeria - Kosova

Grupi B

E mërkurë

13.00: SHBA-ja - Australia

E enjte

15.00: Australia - Paraguai

E premte

15.00: Paraguai – SHBA-ja./Zëri/