Veprimet e paunifikuara të opozitës

Ndonëse vazhdimisht paralajmërojnë rrëzimin e Qeverisë aktuale tri partitë opozitare, LDK-ja, LVV-ja e PSD-ja, nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në këtë drejtim. Derisa LVV-ja tashmë ka thënë se shumë shpejt do të nisë organizimin e protestave për ta çuar vendin në zgjedhje, LDK-ja ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë një formë të tillë të organizimit. Në anën tjetër zyrtarë të PSD-së kanë deklaruar se LDK-ja e LVV-ja, pos fjalëve, nuk kanë bërë asgjë deri tash lidhur me këtë çështje, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me rastin e organizimit të tubimeve “Kundër PANHajnisë” Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ditëve të fundit ka nisur të paralajmërojë protesta për t’i dhënë fund Qeverisë aktuale, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Por kundër një forme të tillë është pozicionuar partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pasi që sipas zyrtarëve të këtij subjekti Qeveria duhet të rrëzohet nëpërmjet veprimeve të ndërmarra në Kuvend, jo nëpërmjet rrugëve. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e LVV-së shprehen të bindur se pjesëmarrja e qytetarëve në protestat e ardhshme do të jetë masive ndonëse ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur saktësisht do të organizohen ato.

LEXO EDHE: Fabrici: Nuk ka stabilitet në rajon pa arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Në anën tjetër as subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate (PSD), nuk ka dhënë ndonjë sinjal se mund t’u bashkohet protestave të thirrura nga LVV-ja ndonëse zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se PSD-ja është partia e vetme që deri më tash i ka ofruar nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se veprimet e përbashkëta të opozitës do të kishin ndikim shumë më të madh si te qytetarët, ashtu edhe te pushteti. Megjithëkëtë, mosunifikimi i tri partive opozitare lidhur me protestat sipas tyre nuk paraqet ndonjë fakt për t’u befasuar.

LVV-ja paralajmëron protesta masive

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vetëm kështu sipas saj mund të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndaj një gjë të tillë, siç ka theksuar ajo, LVV-ja do ta bëjë nëpërmjet protestave në një të ardhme të afërt. Sa u përket partive të tjera opozitare Kollçaku ka thënë se ato do të vendosin vetë se a do të marrin pjesë në protestat që pritet të organizohen nga LVV-ja.

“Ky është rrugëtimi që ne e kemi zgjedhur. Gjithsesi ne do të jemi vazhdimisht duke bashkëpunuar me pjesën tjetër të opozitës, por do të jetë vendimi përfundimtar i tyre se si do të veprojnë në rastin konkret. Ne asnjëherë nuk kemi bërë trysni tek asnjë subjekt që të veprojë si ne. Ajo që ne kemi kërkuar është që brenda mundësive t’i harmonizojmë veprimet vetëm në interes të vendit dhe të qytetarëve”, ka shtuar ajo.

Megjithëkëtë, sipas deputetes së LVV-së, në rast protestash ajo çka nevojitet është vetëm dalja në mënyrë masive e qytetarëve. Me këtë rast ajo është shprehur e bindur se një gjë e tillë do të ndodhë sikurse në protestën e shtatorit të vitit të kaluar.

“Të gjitha subjektet të krahasuara me qytetarët e Kosovës janë pakicë. Ne e dimë se ajo çfarë kërkojmë është mbështetja e qytetarëve, sepse ne presim që qytetarët të dalin në masë, sepse pakënaqësia është në kulm”, ka nënvizuar ajo.

LDK-ja e PSD-ja nuk pritet t’u bashkohen protestave të thirrura nga LVV-ja

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se LDK-ja nuk merr pjesë në protestat e paralajmëruara nga LVV-ja. Sipas tij, Qeveria aktuale duhet të rrëzohet nëpërmjet veprimeve të ndërmarra në Kuvendin e Kosovës, jo nëpërmjet protestave.

“Rrëzimin e Qeverisë duam ta bëjmë përmes proceseve institucionale, përmes Kuvendit, jo përmes protestave”, ka deklaruar ai për “Zërin”, teksa ka thënë se bashkëpunim opozitar mund të ketë vetëm në Kuvend, por jo në rrugë.

Ndërkaq as PSD-ja deri më tash nuk ka dhënë ndonjë shenjë se mund t’u bashkohet protestave të organizuara nga LVV-ja. Nënkryetari i kësaj partie, Visar Ymeri, para pak ditësh ka thënë se LDK-ja e LVV-ja kanë vetëm fjalë, por jo vepra për rrëzimin e Qeverisë.

“Partia Socialdemokrate ka qenë e para dhe e vetmja që deri tash ka ofruar nënshkrimet e veta për mocion mosbesimi kundër Qeverisë. Nga dy partitë tjera opozitare e veçanërisht nga LVV-ja kemi parë vetëm fjalë dhe asnjëherë as veprim e as punë. Pra, më duken absolutisht joseriozë dhe të paguximshëm që të ndërmarrin një hap të tillë”, ka theksuar Ymeri.

AAK: Protestat nuk e rrëzojnë Qeverinë

Gjersa ka komentuar paralajmërimet e LVV-së për protesta, deputetja e AAK-së Time Kadriaj ka thënë se Qeveria nuk mund të rrëzohet nga veprimet e tilla, por vetëm nëse opozita i siguron 61 vota të nevojshme për ta bërë një gjë të tillë.

“Qeveria rrëzohet në momentin kur s’i ka votat ose në momentin që opozita i bën votat. Kjo qeverisje po bën punë të mëdha dhe ka bërë punë të mëdha, që s’janë bërë ndoshta prej pasluftës. Të gjitha vendimet janë në të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Janë në opozitë, është e drejtë e tyre të dalin të protestojnë, por që rrëzohet Qeveria me protesta le ta harrojnë”, ka deklaruar ajo.

Kadriaj me këtë rast ka thënë se LVV-ja nuk ka as arsye që mund t’i paraqesë para qytetarëve për thirrjen e protestave.

“Nuk e di cilat do të jenë arsyetimet e LVV-së për të organizuar protesta, sepse për të organizuar protesta duhet ta kesh një motiv të madh. Haradinaj është duke kryer edhe punën e Qeverisë, edhe punën e opozitës”, është shprehur ajo.

Veprimet e përbashkëta të opozitës do të ishin më frytdhënëse

Teksa ka folur rreth protestave të paralajmëruara nga LVV-ja, njohësi i çështjeve politike Artan Murati ka thënë se nuk është për t’u çuditur vendimi i LDK-së për të mos iu bashkuar këtyre protestave.

“Nuk pritet prej partive si LDK-ja që të dalin në protesta, sepse nuk është në natyrën e një subjekti siç është LDK-ja të dalin të protestojnë në rrugë, ndonëse normalisht që veprimet e përbashkëta të opozitës do të ishin shumë më frytdhënëse dhe do të ndikonin ndoshta edhe më shumë te qytetarët dhe direkt te pushteti. Edhe nëse LDK-ja s’del në protestë besoj që s’do të habitej askush, madje as LVV-ja”, ka deklaruar ai.

Pos kësaj, sipas Muratit, është e pritshme që as PSD-ja të mos u bashkohet protestave në fjalë.

“Pikërisht me vetë faktin që janë larguar prej LVV-së dhe mënyra sesi janë larguar është pak e besueshme që të mundë të ketë bashkëpunim real mes këtyre dy subjekteve, LVV-së e PSD-së, sidomos kur vjen puna tek organizimi i protestave ose çështjeve të ngjashme, ndonëse PSD-ja i ka ofruar nënshkrimet e veta për ta rrëzuar Qeverinë potencialisht”, ka shtuar ai.

nëse shikohet aspekti praktik, sipas Muratit, Qeveria rrëzohet me votat e deputetëve, duke i siguruar 61 sosh.

“Në këtë rast opozita mund të bashkëpunojë përsëri, LVV-ja në rrugë, LDK-ja ta shtojë trysninë më tepër në Kuvend që të arrijnë t’i bëjnë edhe votat e nevojshme dhe përmes një mocioni ta vërë në votim dhe ta provojë rrëzimin e Qeverisë, ashtu siç synon opozita”, ka theksuar ai.

Kurse analisti Rasim Alija ka vlerësuar se tubimet dhe takimet e nisura tashmë nga LVV-ja janë fillimi i një mobilizimi në komuna për të kulmuar pastaj me produktin final, rrëzimin e Qeverisë./ZERI