Njëzet vjet nga vrasja e gazetarit dhe profesorit Sabit Veliu dhe aktivistit Musli Shala

Sot bëhen 20 vjet nga vrasja e gazetarit, shkrimtarit dhe aktivistit të shquar të çështjes shqiptare SabitVeliu bashkë me mikun e tij aktivistin Musli Shalën nga forcat serbe.

Në mëngjesin e 20 marsit, ushtria dhe njësitet speciale e paramilitare serbe me arrogancën më të madhe depërtuan nëpër një numër të madh të shtëpive në lagjet e Skënderajt, e ndër to edhe në shtëpinë e sekretarit të sh.m.t “Anton Çetta”, Dibran Shalës.

Aty pasi keqtrajtojnë familjarët dhe pasi bastisin nëpër shtëpinë e Dibranit, arrestojnë dhe morën me vete djalin e tij Musliun si dhe dhëndrin e tij, profesorin e gjuhës angleze dhe aktivistin e të drejtave të njeriut Sabit Veliun.

Në këtë datë të 20 vjetëve më parë nëpër disa shtëpi policia serbe kishin marrë dhe disa të rinj tjerë si LavdimVojvoda nga Llausha 20vjeçar (nxënës i Sabitit), xhaxhain e tij Nebih Vojvoda dhe mikun e tij Sadik Gashin nga Tërsteniku, Januz Kallecin dhe djalin e tij Xhavit Kallecin nga Polaci dhe Ramiz Gecin nga Llausha.

Familjarët kujtuan se po i dërgonin në stacionin policor për arrestim, por Sabitin e Musliun së bashku me gjashtë të tjerë barbarët serbë i ekzekutojnë tek pishat sipër Skënderajt, kurse kufomat i bartin dhe i dërgojnë në morgun e spitalit në Mitrovicë.

Për vrasjet dhe vendndodhjen e tyre familjarët ishin njoftuar përmes telefonatave  nga mërgimtarët atë ditë të kobshme në mbrëmje.

Në lajmet e publikuara serbe, që kishin depërtuar në televizionet perëndimore ishte njoftuar se policia serbe kishte kapur e vrarë tetë “terrorist” shqiptarë në Skënderaj, duke ua cituar emrat, datat dhe vendlindjet e tyre, e ndër ta edhe “Diversantin e UÇK-së” siç e kishin quajtur Sabitin ata, kufomat e të cilëve ndodhen në morgun e spitalit në Mitrovicë.

E ëma e Musliut tashmë e ndjerë Zelfija me të bijen Sabrijen, edhe karshi rreziqeve të nesërmen shkojnë në spitalin e Mitrovicës, i tërheqin kufomat me ndihmën e disa banorëve të atjeshëm dhe i varrosin në varrezat e fshatit Shupkofc në Mitrovicë. Sabit Veliu së bashku me mikun e tij Musli Shala ishin pjesëmarrës në protestat e demonstratat që organizoheshin për çështjen e Kosovës. Sabit Veliu kishte punuar një kohë të gjatë gazetari në Televizionin e Zagrebit. Veliu punoi profesor i gjuhës angleze në sh.m.t “Anton Çetta” në Skënderaj.

Ishte përkthyes i gjuhës angleze, si dhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Veliu merrej edhe me shkrime.

Dy nga botimet e tij janë: Fjalor Anglisht-Shqip për shkollat e mesme (me rreth 3000 fjalë), dhe “Antologjia e fjalëve të urta”, nga mendimtarë të njohur. Në vendin e quajtur “Te Pishat” në Skënderaj në nderim të profesorit SabitVeliut e Musli Shalës dhe gjashtë të rënëve të tjerë është ngritur një pllakë përkujtimore.