Viti i 'lodhjes' së Listës Serbe
Lista Serbe kishte qenë vendimtare në formimin e qeverisë “Haradinaj”, por qe një vit pas arrestimit të Marko Gjuriqit në veri ky subjekt politik nuk është pjesë e ekzekutivit, me ç’rast ka mbetur edhe pa ndikim politik në institucione. Deputetët e opozitës dhe analistët politikë thonë se votat e Listës Serbe për Qeverinë janë kompensuar me të deputetëve të PSD-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Lista Serbe kishte qenë përcaktuese në formimin e qeverisë “Haradinaj” në shtator 2017, madje deputetët e saj ishin pritur me orë të tëra nga partnerët e koalicionit për ta votuar në Kuvend shefin e ri të ekzekutivit.
Por këto ditë bëhet një vit kur ky subjekt politik nuk është pjesë e Qeverisë dhe rrjedhimisht nuk ka kurrfarë fuqie politike, me ç’rast janë shprehur të gatshëm t’i mbështesin iniciativat e opozitës për rrëzim të kryeministrit Haradinaj, shkruan më tutje "Zëri".
Lista Serbe më 26 mars të vitit të kaluar kishte vendosur të tërhiqet nga Qeveria, kur Policia e Kosovës kishte arrestuar në veri shefin e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.
Pakënaqësia tjetër e madhe e drejtuesve të këtij subjekti politik me punën e institucioneve të Kosovës ishte në nëntor të vitit të kaluar, kur Qeveria vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, të cilën masë tregtare e kundërshtuan drejtuesit e Listës Serbe.
Në anën tjetër, analistët politikë thonë se humbja e fuqisë politike të Listës Serbe në Qeveri është zëvendësuar me përkrahjen që kjo e fundit e ka marrë nga Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit.
Haxhiu: Roli i Listës Serbe është zbehur
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se roli i Listës Serbe në institucione është zbehur dhe sipas saj kjo është një gjë e mirë.
Ajo konsideron që Kuvendi nuk ka mbetur keq në mungesë të deputetëve të kësaj partie deri më tani.
“Mendoj që është shumë mirë për Kosovën që është zbehur roli i Listës Serbe dhe ata po fillojnë ta kuptojnë që nuk do të jenë më kësi lloje parashutistësh të Beogradit qysh kanë qenë deri tash. Kuvendi nuk po mbetet hiç keq pa ta, por shpresoj që në vendin tyre të vijnë serbë tjerë që përfaqësojnë interesat e serbëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
Haxhiu theksoi se Lista Serbe ka nisur të vijë në Kuvend pasi që pas 6 muajsh e humbasin mandatin dhe se, siç ka thënë ajo, kjo tregon më së miri se sa i përfaqësojnë ata interesat e serbëve të Kosovës.
“Lista Serbe ashtu siç ka ardhur duhet të shkojë. Ata kanë filluar të vijnë në Kuvend, po e konfirmoj prej bisedës që pata në Komisionin për Arsim me kolegen serbe. Thjesht interesat e tyre janë veç për politika të Beogradit, qysh gjithmonë kanë vepruar dhe pretendojnë të veprojnë, mirëpo e kanë parë që ne fare nuk jemi duke u marrë me ta, ngase interesi i secilit prej nesh duhet të jetë që serbët e Kosovës të kenë përfaqësues që i plotësojnë interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës”, ka potencuar ajo.
Haxhiu: Uniteti i partive shqiptare e defaktorizon Listën Serbe
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, duke folur për “Zërin”, ka thënë se Kosova nuk pret asgjë nga Lista Serbe, e cila, siç ka thënë ai, përfaqëson vetëm Beogradin zyrtar. Sipas tij, bojkotimet që vijnë nga Lista Serbe nuk janë brengosëse.
“Duke thënë të drejtën, nuk ka ndonjë çështje parimore që është pritur prej tyre, ata i kanë mbrojtur vetëm interesat e politikës zyrtare të Beogradit dhe më së paku kanë qenë përfaqësues të qytetarëve serbë të Kosovës. Uroj që në të ardhmen qytetarët serbë t’i zgjedhin përfaqësuesit që i mbrojnë interesat e tyre dhe nuk janë të varur prej lojërave politike të Beogradit. Kështu që nuk ka asgjë që është për t’u brengosur sa i përket bojktimit të tyre, sepse prejse janë themeluar gjithmonë kanë mbrojtur qëndrimet e Beogradit zyrtar”, është shprehur ai.
Haxhiu u shpreh se vetëm bashkimi i partive politike shqiptare e defaktorizon politikën e Listës Serbe.
“Ata kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të cilën ua garanton Kushtetuta për të marrë pjesë në institucione dhe atë të drejtë e kanë mohuar. Por unë shpresoj që faktori shqiptar të jetë më unik, sepse bashkimi i partive politike shqiptare e defaktorizon Listën Serbe dhe politikën e Beogradit”, deklaroi ai.
Kusari-Lila: Lista Serbe s’ka rol pasi që Qeveria ka gjetur partner të ri
Edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka thënë për “Zërin” se roli i Listës Serbe është zbehur pasi Qeveria tashmë ka gjetur një partner tjetër për t’ua bërë votat.
“Është e dukshme që është zbehur roli i Listës Serbe, Qeveria po ka mbështetje të PSD-së në votime, ashtu siç është parë në disa votime të caktuara. Megjithatë kjo qeveri nuk duhet të presë për votën e LS-së. Qeveria duhet të jetë e gatshme që ta mbajë vetë krejt procesin e shtetndërtimit dhe natyrisht forcimit të institucioneve, por duket që kjo qeveri nuk ka as kapacitet, as vullnet e as ide të bëjë një gjë të tillë”, ka theksuar ajo.
Kusari u shpreh se më shumë se institucionet me bojkotin që ka bërë Lista Serbe i ka dëmtuar edhe serbët që jetojnë në Kosovë.
“Bojkotimi i Listës Serbe është normalisht i instrumentalizuar komplet prej Beogradit, por më shumë sesa institucioneve të Kosovës, bojkotimi i këtyre deputetëve ndaj punës dhe mandatit të tyre i ka bërë dëm të madh edhe popullit serb në Kosovë. Momentalisht institucionet po vazhdojnë veprimin, Parlamenti po vazhdon, Qeveria gjithashtu, por ajo çka mbetet pa u përfaqësuar në mënyrë të mirëfilltë është komuniteti serb në Kosovë dhe ky është dëmi më i madh që po u bëhet atyre”, ka thënë Kusari.
Tahiri: PSD-ja po e zëvendëson Listën Serbe me vota
Në një prononcim për “Zërin” analisti politik Ramush Tahiri konsideron që me gjithë bojkotin që Lista Serbe ua ka bërë deri tash institucioneve të Kosovës ajo vazhdon ta mbajë pozitën e njëjtë vetëm se në bërjen e numrave të Qeverisë është zëvendësuar nga Partia Socialdemokrate.
“Roli i Listës Serbe nuk ka rënë, por ka rënë roli i Qeverisë, sepse kjo ka mbetur Qeveri e pakicës. Mirëpo rolin e LS-së sa u përket numrave, jo politikës, e ka marrë shumë mirë Partia Socialdemokrate, sepse po ia siguron votat Qeverisë dhe kësisoj Qeveria nuk po mbetet në krizë, pavarësisht që është Qeveri e pakicës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri u shpreh se bojkotimi i deritanishëm i Listës Serbe është veprim politik dhe se praktika të tilla të ngjashme ka pasur edhe më herët nga partitë politike serbe.
“Bojkotimi i Listës Serbe është funksional dhe e kanë bërë me vendim, nuk janë larguar prej Qeverisë, pagat dhe të gjitha të tjerat i marrin, por nuk po marrin pjesë dhe nuk po ia bëjnë votat Ramush Haradinajt. Është veprim politik dhe nuk e kanë bërë vetëm këtë herë, e kanë bërë edhe më herët dhe atyre po u jep rezultat në qëllimet e tyre politike dhe partiake”, potencoi ai.