Pas serbit, Florian Marku premton fitore edhe ndaj sllovakut

Florian Marku është njëri prej boksierëve më të mirë shqiptarë që po vazhdon të regjistrojë suksese në arenën ndërkombëtare.

Boksieri me prejardhje nga Gjakova e ka zhvilluar deri më tani një duel në kategorinë e peshave të lehta, duke regjistruar fitore të lehtë.

Më 1 dhjetor të vitit të kaluar Marku ishte përballur me boksierin serb Nikola Janicievic, të cilin e kishte mposhtur bindshëm në Ulm të Gjermanisë.

Tani është caktuar edhe kundërshtari i ardhshëm i 26-vjeçarit, shkruan Zëri

Florian Marku do të përballet me boksierin sllovak Ivan Godor më 23 mars, në “York Hall” në Londër.

Godor (39-vjeçar) ka zhvilluar 90 meçe në karrierën e tij, ku në 66 prej tyre ka pësuar humbje, ka regjistruar 20 fitore dhe ka katër barazime, gjë që e bën Markun favorit absolut në këtë përballje.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Marku është më se i bindur për një fitore kundër Godor. “Nuk e besoj se Godor do të rezistojë më shumë se në dy runde, pasi që jam shumë i përgatitur për këtë duel dhe pres fitore të lehtë”, tha fillimisht Florian Marku.

Më tutje Marku ka premtuar se do të jetë edhe më aktiv këtë vit, pasi që vitin e kaluar kishte probleme të vazhdueshme me lëndime. “Ndeshjen e radhës e kam më 27 prill. Këtë vit do të jem shumë më aktiv, pasi vitin e kaluar kam pasur probleme të shumta me lëndimet”, pohoi boksieri i famshëm shqiptar.

Ray Charles Leonard, ose ndryshe i njohur si “Sugar” Ray Leonard, është një ish-boksier profesionist nga Amerika, i cili ka fituar tituj të botës në pesë divizione, andaj Marku thotë se inspirimin e gjen tek ai. “Inspirimin e gjej te ‘Sugar’ Ray Leonard, ai është idhulli im”, zbuloi Marku.

Për fund Marku ka një mesazh për shqiptarët që e ndjekin atë kudo në botë. “Jam shumë krenar për ndjekësit e mi dhe për gjithë shqiptarët që më ndjekin kudo në botë. Tani që problemet e mia ligjore mbaruan jam i fokusuar 100 për qind për majat e boksit”, përfundoi Florian Marku.

Ndryshe, Marku ka vetëm një fitore në boksin profesionist, atë me nokaut dhe pret pa dyshim që ta kalojë edhe pengesën e quajtur “Godor”./Zëri/