Një vit, asnjë njohje

Për më shumë se një vit Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj, përderisa Serbia vazhdimisht po njofton për tërheqje të tyre. Opozita dhe analistët politikë thonë se diplomacia kosovare është shumë e dobët dhe e paorganizuar, përderisa në Ministrinë e Jashtme të Kosovës i paralajmërojnë 19 njohje të reja, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ka kaluar një vit prejse Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare, përderisa Serbia në anën tjetër po njofton për disa tërheqje të njohjeve të shtetit që e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës ka qenë Barbadosi, i cili lajmin për njohje e ka dhënë më 15 shkurt të vitit 2018, në prag të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së vendit.

LEXO EDHE: Mosuniteti dobëson pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë

Pa i llogaritur edhe çnjohjet nga Serbia, të cilat i kundërshton fuqishëm Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, pavarësinë e vendit deri më tani e kanë njohur 116 shtete të botës.

Derisa diplomacia kosovare është në “gjumë” qe një vit, përfaqësues të opozitës në  vend, si dhe analistë politikë vlerësojnë që mungesa e njohjeve dhe çnjohjet që po i paralajmëron Serbia janë pasojë e dështimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilën e udhëheq zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Por në Ministrinë që e drejton Pacolli thonë për “Zërin” se po i presin 19 njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.

MPJ-ja paralajmëron 19 njohje të reja
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, ka thënë për “Zërin” që derisa institucionet e Kosovës janë duke punuar për të siguruar njohje të reja, është Serbia në anën tjetër që po lobon për “çnjohje” të shtetësisë së Kosovës.

“Ne jemi duke punuar intensivisht në sigurimin e njohjeve dhe natyrisht se po hasim në probleme dhe në pengesa nga lobimi agresiv i Serbisë, e cila po keqpërdor dialogun si arsye për mosnjohje, duke i keqinformuar shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën mbi statusin dhe sovranitetin e Kosovës. Ne nuk do të ndalemi, përkundrazi diplomacia kosovare dhe vetë ministri Pacolli është më aktiv se kurrë, gjë e cila mund të shihet edhe nga vizitat dhe nga lobimi i tij intensiv në mbarë globin”, ka thënë Vuniqi.

Numri dy i Ministrisë së Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se pritet që shumë shpejt 19 shtete që janë pjesë Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI) ta njohin Kosovën.

“Në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, me kërkesën e Republikës së Kosovës për aprovim, u votua me unanimitet rezoluta që thërret shtetet e saj anëtare ta njohin Kosovën dhe ta mbështesin anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ne presim që edhe 19 shtetet anëtare të kësaj organizate, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim, ta bëjnë së shpejti. Rezoluta bën thirrje pikërisht për këtë dhe presim lëvizje të reja në këtë drejtim”, ka theksuar ajo.

Reçica: Serbia dhe Rusia me ofensivë të fuqishme kundër Kosovës

Kurse deputeti i PDK-së Elmi Reçica, i cili është edhe anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, ka thënë për “Zërin” që derisa Serbia po lobon kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës, institucionet e vendit duhet të ndërtojnë një strategji për t’u përballur me këtë lobim dhe për të siguruar njohje të reja.

“Çështja e njohjeve dhe e ruajtjes së njohjeve të cilat deri tash kanë ndodhur është çështje e gjitha institucioneve të Kosovës. Në anën tjetër ajo që ka bërë Serbia me aleatët e saj, pra me Rusinë, ka qenë një ofensivë jashtëzakonisht e fuqishme, sepse ata kanë lobuar te shtetet që ta tërheqin njohjen, por edhe të pamundësojnë njohje të reja”, ka thënë ai.

Rrjedhimisht si pasojë e kësaj Reçica vlerëson që të gjitha institucionet e vendit duhet të jenë së bashku në këtë “betejë” të Kosovës për sigurimin e njohjeve të reja për vendin.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë të koordinuara me miqtë strategjikë, me shtetet që na kanë mbështetur në liri, në pavarësi dhe në shtetndërtim, me qëllim që të ndërtohet një strategji e gjithanshme për t’u ballafaquar me këtë situatë që nuk është shumë e këndshme.

Ne kemi një atakim prej të gjitha anëve dhe duhet të mobilizohemi të gjitha institucionet pavarësisht përkatësisë politike, kjo është betejë e Kosovës dhe jo për të dominuar në skenën tonë politike”.

Zemaj: Po përkeqësohet imazhi i Kosovës

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë për “Zërin” që Qeveria e Kosovës ka stagnuar në njohje dhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, gjë që sipas tij po ndikon që të krijohet një imazh i keq për Kosovën në botë.

“Qeveria në fillim të mandatit kishte proklamuar fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës me njohje të reja dhe me anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e rajonale, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra. Nga ajo që ka ndodhur treguesit janë se kemi përkeqësim të imazhit të Kosovës, tërheqje të njohjeve dhe mosanëtarësim në organizatat ndërkombëtare e rajonale”, ka thënë Zemaj.

Krejt kjo sipas Zemajt e dëmton pozicionin e Kosovës karshi shteteve mike të saj.

“Niveli i takimeve ka rënë dukshëm, pothuajse vetëm takime multilaterale dhe nëse vazhdon kjo gjendje me këtë qeveri vendi do të ketë dobësim të pozicionit të saj karshi botës demokratike dhe ndaj miqve të Kosovës”, ka potencuar ai.

Diplomacia e dobët e propaganda serbe kanë bllokuar njohjet

Në anën tjetër Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga asnjë shtet për një vit paraqet dështim të diplomacisë kosovare dhe të institucioneve të Kosovës në politikën e jashtme. Kjo sipas Muratit ka ndodhur për dy arsye: për shkak të diplomacisë së dobët kosovare, si dhe për shkak të lobimit të vazhdueshëm serb kundër shtetësisë së Kosovës.

“Nuk e di nëse Kosova ka pasur diplomaci me të dobët dhe më të paorganizuar sesa tash në këtë qeveri dhe kjo po i tregon edhe frytet e veta. Tash kemi dy faktorë, të cilët po pamundësojnë që të ketë njohje për Kosovën: E para është diplomacia e dobët e Republikës së Kosovës dhe e dyta, lobimi shumë i madh nga ana e Serbisë për tërheqjen e njohjeve. Pra ne aktualisht përpos që nuk po marrim njohje të reja, jemi duke u përballur tash e një kohë edhe me tërheqjen e njohjeve, që e bën situatën edhe më të vështirë”, ka thënë Murati.

Në stagnimin e njohjeve sipas Muratit po ndikon edhe bllokimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak se ky proces është shumë i rëndësishëm për shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën e janë pjesë e BE-së.

“Shumica e njohjeve janë të lidhura edhe me procesin e dialogut me Serbinë, kështu që duhet të kemi parasysh edhe këtë element në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme e të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe të mundësohet që përmes një marrëveshjeje finale të vijë edhe një valë e re e njohjeve nga shtete të rëndësishme, të cilat do të ndikonin edhe në integrimin e Kosovës në BE, por edhe në OKB”, ka thënë Murati për “Zërin”.

Ai ka potencuar që Kosovës i duhet një strategji e mirëfilltë në politikën e jashtme, një plan konkret për zbatimin e saj, si dhe një kuadro e kualifikuar për ta zbatuar atë. Ai ka theksuar që mes të tjerash duhet që institucionet e Kosovës të bashkëpunojnë me shtetet mike të saj me qëllim që të njëjtit ta ndihmojnë Kosovën në lobimin e saj për sigurimin e njohjeve./ZERI