Lekaj reagon për grevën në Aeroport

Greva e Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka nxitur edhe reagimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit që udhëhiqet nga Pal Lekaj.

Në këtë reagim thuhet se kjo grevë rrezikon që të dëmtojë seriozisht operimet në Aeroportin “Adem Jashari”, dhe mund të shkaktojë pasoja të mëdha për Kosovën, në këtë fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil.

Kjo ministri është e shqetësuar për paralajmërimet e vazhdimit të grevës nga kontrollorët e trafikut ajror, dhe me mos pranimin e propozimit të ministrit Pal Lekaj për marrëveshje.

 Tutje u theksua se ministri Lekaj u qëndron premtimeve se do të punojë në vazhdimësi deri në rregullimin e statutit të kontrollorëve ajror dhe se pret reflektim nga këta të fundit.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror, përkundër propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e Ministrit Pal Lekaj. Në këtë memorandum mirëkuptimi janë të përfshirë kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas përfshirjes së tyre në ligjin për pagat.

E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva. Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha.

Greva e cila po mbahet nga SINKON e ASHNA rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet në ANP “Adem Jashari” gjë e cila mund të shkaktoj pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil.

Prandaj, MIT edhe një herë ju bën thirrje SINKON të ASHNA që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të pezullojnë grevën e nisur. MIT nën udhëheqjen e ministrit Lekaj është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON të ASHNA.

Lekaj u qëndron premtimeve se do të punojë në vazhdimësi deri në rregullimin e statusit të kontrollorëve ajror, prandaj pret reflektim nga këta të fundit.