Taksa 100%, 100 milionë euro humbje Serbisë

Nesër bëhen tre muaj prejse është vendosur taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Më 6 nëntor 2018 kishte filluar të aplikohet taksa prej 10 për qind, ndërsa dy javë më pas e njëjta ishte ngritur në 100 për qind. Për shkak të humbjeve të mëdha financiare, të cilat përgjatë kësaj periudhe vlerësohet se kanë arritur shumën prej rreth 100 milionë eurosh, është rritur edhe presioni ndërkombëtar ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Më 6 shkurt 2019 (nesër) bëhen tre muaj prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 10 për qind ndaj mallrave serbe, taksë kjo e cila dy javë më pas, përkatësisht më 21 nëntor, u ngrit në 100 për qind.

Rritja e kësaj takse nga shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj ka rritur edhe presionin ndërkombëtar ndaj kryeministrit për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë urgjentisht heqjen e taksës, kërkesë kjo që po pranohet edhe nga partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK), ndonëse drejtuesit e koalicionit fillimisht merrnin merita për vendosjen e taksës 100 për qind.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj ka refuzuar deri më tani heqjen e taksës, duke thënë se e njëjta mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën. Por, për 3 muaj prejse është vendosur taksa humbjet e ekonomisë së Serbisë vlerësohet se arrijnë shumën prej rreth 100 milionë eurosh.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, derisa në nëntor të vitit 2017 Kosova kishte importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 36.9 milionë eurosh, në nëntor 2018, kur ishte vendosur taksa, importet kishin rënë në 15.3 milionë euro ose për rreth 21.5 milionë euro.

Ndërsa në dhjetor 2017 importet nga Serbia kishin qenë 46.7 milionë euro, derisa në dhjetor 2018 kanë rënë në 5.3 milionë euro. Me rënien e importeve edhe gjatë janarit 2019 vlerësohet se humbjet e ekonomisë së Serbisë arrijnë në rreth 100 milionë euro për tre muaj.

Veseli: Taksa do të mbetet, por të pezullohet përkohësisht

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar dje se taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur për të mirën e Kosovës dhe asnjëherë nuk guxon të kthehet kundër Kosovës. Megjithatë, ai thotë se ka një propozim për çështjen e taksës, e cila është në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.

“E kemi vendosur tarifën 100% për produktet dhe mallrat serbe, sepse këtë na e ka imponuar Serbia. Tarifa do të qëndrojë. Ju e dini, unë e kam bërë një propozim i cili është shumë konkret dhe parasheh masat që duhet të ndërmerren. Pezullimi është kërkesë edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një masë e përkohshme. Gjatë kësaj kohe ne mund të marrim veprime që në Kosovë s’mund të hyjnë më mallra serbe pa i respektuar institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Veseli pas vizitës që ka zhvilluar në shkollën “Jeronim De Rada”, në Ferizaj.

Teksa ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme institucionet e Kosovës do të marrin vendime të mëdha për vendin, Veseli ka theksuar se është qenësore që Kosova dhe SHBA-ja në asnjë moment të mos kenë qëndrime të ndryshme përballë Serbisë.

Kurse i pyetur për takimin që pati me liderët e koalicionit dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeparlamentari Veseli ka thënë që arsyeja e takimit ishte shtëpia e re e presidentit Thaçi. “Ia uruam shtëpinë e re Thaçit”, është shprehur shkurt ai.

AAK: Taksa të mos hiqet

Në anën tjetër Grupi Parlamentar i AAK-së gjatë ditës së djeshme ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të posaçëm për taksën në produktet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës.

Deputetët e AAK-së përmes një komunikate për medie të lëshuar dje kanë thënë se kanë kërkuar nga lidershipi i vendit, presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri, që të bëjnë të pamundurën t’i sqarojnë partnerët ndërkombëtarë se pezullimi eventual i kësaj takse do të kishte pasoja të mëdha për vendin dhe për vetë procesin e dialogut me Serbinë.

“Ne jemi të përcaktuar për dialog, por kërkojmë me ngulm që Qeveria, kryeministri dhe ekipi negociator të mos pranojnë kurrfarë kushtesh për fillimin e dialogut me Serbinë. Në rast se vendosen kushte për fillimin e këtij dialogu Kosova i ka 1001 arsye të vendosë kushte për fillimin e tij”, thuhet në komunikatë.

LVV: Taksa të qëndrojë, Qeveria të largohet

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që taksa të mos hiqet, mirëpo po insiston të largohet nga pushteti qeveria “Haradinaj”.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk pret që Haradinaj t’i qëndrojë pas vendimit të tij për mosheqje të taksës.

“Duke e pasur parasysh që kryeministri Haradinaj ka lëshuar pe nga Marrëveshja për Demarkacionin dhe që ai tashmë ka hequr dorë nga mbrojtja e territorit, nuk mund të them që ai nuk do të tërhiqet edhe nga taksa, sepse e ka dëshmuar që tërhiqet pas presioneve. Megjithëse ne nuk besojmë se taksa do të qëndrojë, ne kërkojmë që taksa të mos tërhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, duke e komentuar takimin e së dielës të liderëve shtetërorë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Haxhiu ka vlerësuar që takime të tilla janë sinjale se do të ketë koncesione të reja në dëm të Kosovës.

“Është e qartë që ka mundësi të ketë koncesione të reja në kurriz të Kosovës, sepse këta të vetmen punë që e bëjnë janë koncesionet në kurriz të qytetarëve të Republikës, prandaj duhet vigjilencë opozitare dhe qytetare në këtë drejtim. Ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi dhe t’i lejojmë që të bëjnë pazare të reja me Serbinë”, ka theksuar Haxhiu.

Haliti: Taksa po përdoret për qëllim elektorale

Kurse nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që ndonëse duhet sa më parë t’i jepet një epilog çështjes së taksës, ai ka thënë që kjo e fundit po përdoret më shumë për qëllime elektorale të liderëve shtetërorë.

“Problemi kryesor i Kosovës është që ne nuk kemi politikë shtetërore dhe në këto kushte edhe analizat nuk dalin të qëlluara gjithmonë. Për këtë çështje nganjëherë po nxirren edhe mendime me inate dhe me qëllime elektorale, këto qëndrime janë të gabuara. Besoj që Qeveria duhet ta ketë parasysh së bashku me gjithë protagonistët e politikëbërjes së shtetit që të marrin vendimet e duhura në interes të Kosovës. Nëse ne e kemi këtë parasysh, atëherë besoj që vendimmarrja do të jetë e duhur”, ka thënë ai.

Haliti ka vlerësuar se heqja ose jo e taksës i takon qeverisë “Haradinaj”, mirëpo mbetja e saj në fuqi po e dëmton dialogun me Serbinë.

Murati: Takimet e liderëve, takime për kompromis për taksën

Analisti Artan Murati duke folur për tarifën 100 % ndaj produkteve serbe ka thënë që takimet e shtuara mes liderëve shtetërorë kanë për qëllim arritjen e një kompromisi për heqje të taksës.

“Takimet mes liderëve besoj se janë duke ndodhur që të dakordohen për taksën dhe normalisht që do të ishte mirë që këto takime të ndodhin në institucione dhe në mënyrë të institucionalizuar. Ideja e diskutimeve është se sa do të mundë të ndikojnë liderët tjerë te kryeministri, sepse është kryeministri ai i cili po duket më i palëkundur në qëndrimin për taksën dhe nëse do të ketë ndonjë lëvizje varet se sa do të arrihet të bindet kryeministri për të lëvizur prej pozicionit të tij”, ka thënë Murati.

Ndonëse deri tani sipas Muratit nuk ka ndonjë indikacion pozitiv se kryeministri është duke lëvizur prej pozicionit të tij fillestar për mosheqje të taksës, ai vlerëson se duhet të kihet parasysh interesi i qytetarëve të Kosovës.

“Çështja se a duhet të largohet taksa ose jo mund të trajtohet në dy aspekte, është aspekti personal, ku shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë përkrahur në masë të madhe vendosjen e taksës, madje shumica prej tyre kanë kërkuar edhe reciprocitet të plotë me Serbinë, por është edhe aspekti tjetër se si po ndikon kjo taksë në raportet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, por edhe në dialogun me Serbinë, sepse tash taksa është bërë pengesë direkte për zhvillimin e dialogut”, ka thënë ai.

Kësisoj, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’i kenë parasysh të dyja këto qëndrime dhe të marrin vendimin më të mirë për qytetarët, për Kosovën dhe për subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës

Grafika:

Importet nga Serbia

Dhjetor 2017                 Dhjetor 2018

  • 46.7 mil. €            5.3 mil. € 
  • Nëntor 2017         Nëntor 2018
  • 36.9 mil. €             15.3 mil. €