Drejtori i Juventusit e harron fletushkën në restaurant, zbulohen emrat e lojtarëve të kërkuar nga klubi

Kampionit italian, Juventus i janë zbuluar planet e transferimeve, pasi drejtori sportiv, Fabio Paratici e ka harruar 'listën e dëshirave' në një restaurant.

Sipas gazetës së përditshme italiane, "Il Tempo'', një tifoz e ka gjetur fletushkën me shënime në tavolinën ku ka darkuar Paratici.

Fletushka në fjalë përmbante emrat e lojtarëve, të cilët Juventusi synon t'i transferojë, raporton Zëri.

Në këtë listë, lojtarët janë të grupuar në bazë të moshës, derisa përfshihen edhe Merih Demiral dhe Mattia Zennaro, me të cilët "Zonja e Vjetër'' ka qenë e lidhur kohëve të fundit.

20-vjeçarin Demiral, Paratici beson se mund ta transferojë për 7 milionë euro. Në këtë listë është edhe Federico Chiesa, ku për 21-vjeçarin janë të interesuar shumë klube dhe çmimi i tij është 50 milionë euro.

Emrat tjerë në këtë listë janë edhe mbrojtësi argjentinas, Cristian Robero dhe mesfushori i Brescias, Sandro Tonali, të cilët kushtojnë 20 milionë euro./Zëri/