Arrestohet grupi i “hajdutëve”, që vodhën vegla pune dhe kafshë në Prizren (foto)

Vodhën gjësende të ndryshme, përfshirë kompjuterë e vegla pune por këto nuk u mjaftuan. Ata “zanatin” e vazhduan edhe me vjedhje të kafshëve, derisa policia u ra në gjurmë, për t’i arrestuar shtatë nga anëtarët e një grupi, për të cilin policia dyshon të jetë edhe më i madh, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Zyrtari për media pranë Policisë rajonale në Prizren, Vesel Gashi, konfirmoi për portalin se arrestimi i tyre është bërë në vazhdimësi të punës së hetuesve policorë  të stacionit në Prizren, që kanë ndërmarrë një aksion prej dy ditësh.

“Deri më tani janë arrestuar 7 persona të gjithë nga Prizreni, të cilët si grup kanë kryer mbi 30 vepra penale, kryesisht në këtë qytet”, ka thënë për ai.

Policia nuk e ka publikuar identitetin e të arrestuarve dhe nuk e ka konfirmuar nëse ata janë të njohur për organet e rendit.

Gashi, tha se lopa që ishte vjedhur në “Hoqa Mahallë” dhe 10 dele në lagjen “Bajram Curri” u janë kthyer pronarëve.