'Për shpirtin e babait...' Elvis Naçi dhuron 5 mijë € për familjen shqiptare, çfarë e preku!

"Në shtëpinë tonë nuk është gatuar ndonjëherë mish… unë nuk e di sesi është të hash mish apo diçka tjetër përveçse çorbës dhe bukës me sheqer".

Këto janë fjalët e një fëmije, që jeton në Këlcyrë të Shqipërisë. 

Kushtet e jetesës në familjen Rrapo janë të atilla sa fëmijët flenë në tokë, të mbuluar në plastmasë… kjo pasi tavani pikon ujë sa herë bie shi.

Më sytë lart dhe shpresën se shiu nuk do të fillojë, kështu zgjohet dhe fle gjumë natën familja me 3 fëmijë të vegjël.

Më së miri, kushtet në familje i tregojnë fëmijët. 

Arseni, tregon se ajo që shkon më së shumti në mendjen e tij është ushqimi. Ai nuk ka çfarë të hajë. Arseni qan sa herë tregon se nuk ka mundësi as të ushqehet, ndërsa atij, vëllait dhe motrës i duhen rreth 3 orë udhëtim në këmbë për të shkuar në shkollë.

Djali, Arseni: Kemi shumë ftohtë, jemi sëmurur. Kur flemë bien xhamat... trembem shumë kur bien xhamat. Vjen shumë erë dhe kemi ftohtë. Vetëm çorbë na u bë barku, vetëm çorbë. Sot nuk kam ngrënë fare, i thashë mamit bëj bukë të ha, por ajo më tha skemi çfar ëtë hamë.

Vajza tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se ka ndodhur shpesh herë që t’i kenë rënë të fikët në shkollë e koka t’i jetë përplasur në bankë për shkak të mosushqyerjes.

Vajza: Më ka rënë të fikët, më mori mësuesja. Më ra të fikët se nuk kisha ngrënë. Nuk kemi bukë të hamë.

Flamurja, nëna e fëmijëve thotë se nuk e do më jetën, nuk gjen kuptim më tek ajo. Përlotet kur sheh fëmijët e tyre që ankohen për një copë bukë.

Nëna, Flamurja: Nuk e dua këtë jetë kështu... se po vuajmë shumë

Arseni tregon se shpesh herë e ka mërzitur nënën kur e ka pyetur nëse ka diçka për të ngrënë. Duket si një film i ardhur nga koha e luftës, por në të vërtetë është nevoja për një copë bukë ajo që torturon dhe përlot këta fëmijë.

Djali, Arseni: I them ndonjëherë babit, a të doli ndonjë punë dhe ai më thotë jo...se nuk e marrin në punë. Ndonjëherë e mërzis mamin, se dua bukë të ha. Mami thotë çtë bëj unë, ska shtëpia, çfarë të jap.

Në shtëpinë e familjes Rrapo shkon Elvis Naçi, i cili sheh nga afër kushtet e mjerueshme të jetesës. 

Ajo që është kthyer në banesë për këtë familje ka qenë dikur një dyqan i kthyer në një magazinë për të hedhur tutje pjesë të prishura apo mobilie. Tavani është tërësisht i shkatërruar ndërsa muret mbajnë sadopak erën e fortë dhe të ftohtin i cili në familjen Rrapo luftohet vetëm me disa copa plastmasi.

Elvis Naçi: Ku flini ju?

Djali, Arseni: Ja këtu në tokë

Naçi: Po këtu lart hyn ujë?

Djali: Po na bie tek krevati

Gruaja: Shumë herë na bien pjesë të murit në kokë

Burri: Kjo ka qenë një magazinë, ka qenë dyqan më përpara.

Elvis Naçi: Si ja bëni ju kur shkoni në shkollë?

Djali: Me plastmas na çon babi në shkollë

Elvis Naçi: Do ishit të lumtur ju po të kishit një shtëpi

Djali: Po shumë... të bëhemi dhe ne si shokët... ata kanë shtëpi kurse ne jo.

Elvis Naçi: Ku i gjeni lekët për ushqimet e gjëra tjera

Mamaja: Na kanë ndihmuar

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” vendos ta ndihmojë familjen Rrapo duke i blerë një shtëpi të re. Rasti i rëndë i kësaj familje u prezantua nga emisioni "Boom", i cili po ashtu erdhi për të qenë i pranishëm në përpjekjen për të ndihmuar familjen.

Elvis Naçi vendosi që të japë një shumë prej rreth 5 mijë eurosh nga xhepi i tij për familjen me 5 anëtarë, duke u shprehur se këtë veprim po e bënte për shpirtin e babait të tij të ndjerë, një akt që i erdhi në mendje kur pa lotët që rrodhën në fytyrën e babait të fëmijëve të familjes Rrapo.

Naçi: Ishte një magazinë që për hir të së vërtetës nuk ishte as e tyre... nuk kishe ku të ulej, tre shtretër ishin për fëmijët, por më vinte dhe zor t’i pyesja se ku flinin prindërit. Doja të thoja një gjë... unë kam një kanal në Youtube dhe fitoj deri në 2 mijë dollarë... kam vendosur për këtë familje, për të cilën ne kemi vendosur të blejmë një shtëpi.. unë vetë do të dhuroj 5 mijë euro personalisht për familjen Rrapo. Këto 5 mijë euro i dhuroj për shpirtin e babait... gjithmonë themi që një fëmijë i mirë është ai që kënaq babain kur e ka në jetë por nuk e harron kurrë kur nuk e ka në jetë...mbaj mend që babai fluturonte nga gëzimi kur shihte punët e mira që bënim. Nuk ka gëzim më të madh për prindin sesa fëmijët e tyre...Ëndrra e prindit është të ketë një vajzë, djalë të mirë, të arsimuar që rritet dhe krijon një familje të mirë, një familje që i puth duart nënë e babait.  E thash këtë me shpresën që të bëhet model mbase për dikënd që ka mundësi të ndihmojë... kush bën mirë Zoti s’e harron.

Por përpara se familja Rrapo të shkonte në shtëpinë e re të blerë nga shqiptarët për ta, të rinjve ju bë një surprizë. Fëmijët e familjes Rrapo shkuan fillimisht të blejnë një sërë veshjesh dhe lodrash. Vogëlushët nuk kishin as dhe rroba të trupit për të përballuar acarin e dimrit.

Më tutje në shtëpinë e re rreth 240 metra katrorë, derën e banesës e hapi e zonja e shtëpisë. Pak fjalë dolën prej saj, teksa në fytyrë i rrodhën lot gëzimi.

“Ju bëftë jeta sheqer” tha Flamurja, ndërsa Qemal Rrapo përqafoi Elvis Naçin.

Fëmijët panë dhomën e tyre dhe më në fund ata do të mund të flenë të qetë, të pa shqetësuar se shiu apo copat e tavanit do të godasin fytyrat e tyre. 

Familjes Rrapo i erdhi në ndihmë dhe një familje shqiptare, e cila me dëshirë dhe zemër të madhe i dhuroi një sërë ushqimesh, që edhe ata të mund të kalojnë një Vit të Ri si të gjithë familjet e thjeshta shqiptare.

Elvis Naçi: Ne kur shohim fëmijët që kanë dëshirë me luajt me lodra e janë duke jetuar si të gjithë të tjerët, kjo neve na emocion dhe na gëzon pafundësisht. Vajza e atij çifti të moshuar shqiptar kishte parë emisionin dhe kishte sjellë ushqime. Ka shumë raste që kur shqiptarët marrin dhe bëjnë vetë të tilla raste bamirësie.