Deputeti i VV-së kërkon vendosjen e trupave amerikan në Jarinjë e Bërnjak
Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveçla teksa ka komentuar deklaratën e ambasadorit të ri amerikan në Kosovë Philip Kossnet për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës dhe deklaratën e kryeministres serbe për sulm ushtarak nëse miratohet ushtria, ka thënë që është e nevojshme që në këto ditë në Jarinjë e Bërnjak të vendosen trupa amerikan, transmeton “zëri.info”.
Ai po ashtu të nevojshme e ka parë edhe krijimin e një mini kampi Bonsteel në Zvecan.
“Ambasadori i ri amerikan në RKS, Z. Philip Kossnet, e mbështeti mbrëmë transformimin avansues të FSK-së si kapacitet i shtetit tonë për vetëmbrojtje. Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq e kërcënoi Kosovën me sulm ushtarak nëse e miratojmë ligjin në lexim të dytë sot një javë. Në ditët në vijim nevojitet edhe një mini Bondsteel të vendoset në Zveçan si dhe trupa amerikane në Jarinjë e Bërnjak”, ka shkruar Svecla në një postim në “Facebook”.
Ambasadori Kossnet mbrëmë ka mbështetur formimin e ushtrisë së Kosovës, të cilën e ka konsideruar si një hap të natyrshëm. Ai ka thënë që ushtria e Kosovës mbështetjen e ka nga të gjithë amerikanët, ndërsa në anën tjetër ky proces është duke u kundërshtuar fuqishëm në Serbi. /ZËRI