Pele 'godet' Messin

Njëri prej sulmuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Pele, ka thënë se ai e sheh veten shumë më lart se Lionel Messi në historinë e futbollit. Legjenda braziliane thotë se argjentinasi bazohet jashtëzakonisht shumë te këmba e tij e majtë. Ai gjithashtu shprehet se edhe disa futbollistë të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe Diego Maradona, kanë qenë më të mirë se Messi, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Legjenda braziliane e futbollit, Pele, thotë se ai ishte shumë herë futbollist më i mirë sesa Lionel Messi, i cili gjuan vetëm me këmbën e tij të majtë. Ish-futbollisti i Santosit shprehet se Messi ka vetëm një aftësi dhe se Diego Maradona ishte futbollist më i mirë sesa ylli i Barcelonës.

Pas një karriere të jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit në La Liga, njëri prej talentëve më të mëdhenj të kohës moderne konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.

Ka shumë persona që e konsiderojnë Messin si futbollistin më të mirë në historinë e këtij sporti, me pesë herë fituesin e “Topit të Artë” që ka thyer rekorde të shumta dhe ka një shkallë të lartë të finalizimit.

Sidoqoftë, Pele ka deklaruar se 31-vjeçari është njëdimensional dhe se bazohet jashtëzakonisht shumë te këmba e tij e majtë për t’u krahasuar me figurat ikonë të këtij sporti. “Si mund të bëni krahasime mes një djali që gjuan mirë me kokë, gjuan me të majtën dhe gjuan me të djathtën me një tjetër që gjuan vetëm me këmbën e majtë, që ka vetëm një aftësi dhe nuk gjuan mirë me kokë?”, është shprehur ish-futbollisti i cili ka realizuar mbi 1000 gola në karrierën e tij dhe ka fituar tri herë Kupën e Botës.

“Si mund të bëni krahasime? Për t’u krahasuar me Pelen duhet të jetë dikush që gjuan mirë me të majtën, gjuan mirë me të djathtën dhe shënon me kokë”, ka shtuar braziliani.

Derisa e vendosi veten para Messit në historinë e futbollit, Pele shprehu se edhe shumë emra të tjerë janë mbi yllin argjentinas. “Me sa e di unë, Maradona ishte njëri prej futbollistëve më të mirë në histori. Nëse më pyesni mua se a ishte ai më i mirë se Messi, atëherë po, ai ishte. Shumë më i mirë. (Franz) Beckenbauer, (Johan) Cruyff ishin gjithashtu lojtarë të shkëlqyeshëm”, u shpreh Pele.

Përderisa Pele mund të mos jetë tifozi më i madh i Messit, nuk ka asnjë dyshim për arritjet e tij që prejse shpërtheu në skenë me Barcelonën. Ai ka plot 567 gola me klubin në 653 paraqitje dhe 65 gola të tjera në 128 paraqitje me përfaqësuesen e Argjentinës. Messi gjithashtu ka fituar pesë herë “Topin e Artë”, nëntë tituj të ligës spanjolle, katër Liga të Kampionëve dhe tri Kupa të Botës për Klube. Sidoqoftë, ai nuk ka pasur suksese me kombëtaren e tij, duke pësuar si në finale të Kupës së Botës, ashtu edhe në atë të Kupës së Amerikës./Zëri