Kështu kaluan karateistët e Kosovës në Botëror!

Garuesit kryesorë kosovarë kanë mbetur pa medalje në Kampionatin Botëror të karatesë, i cili po mbahet në Madrid të Spanjës.

Alvin Karaqi u ndal në luftën e katërt pasi u mposht nga turku, Ugur Aktash.

Rezultati ishte 2:2, por gjyqtarët ia dhanë fitoren kundërshtarit të Alvinit.

Paraprakisht, Karaqi i kishte fituar tri luftra në kategorinë -84 kilogramë.

Në luftën e parë e kishte mposhtur karateistin Khaireddine nga Tunizia me rezultat 2:0, ndërsa më pas ishte më i mirë edhe se kanadezi Maxym-Olivier Rivest në raundin e dytë dhe portugezi Hernadez në atë të tretë.

Ndërkohë, Herolind Nishevci është ndalur në luftën e tretë të Botërorit.

Betejën e parë ai e fitoi ndaj lituanezit Azuolas Kalpokas me rezultat 3:0 në kategorinë +84 kilogramë.

Kurse, ai ishte më i mirë se algjeriani Hocine Daikhi në xhiron e dytë 4:3, por u ndal në të tretën, ku pësoi humbje nga Rusi Alexander Pshenitsyn, 2:4.

Sot garuan edhe Argjend Berjani dhe Vlerona Shala në kata, të cilët u mposhtën në luftën e parë.

Kurse, karateistja tjetër, Fortesa Orana u ndal në luftën e parë në kategorinë + 68 kilogramë.

Duhet cekur se Kosova po përfaqësohet në Botëror me 13 garues.

Ky eveniment prestigjioz ka nisur të martën dhe vazhdon deri më 11 nëntor. /Zëri/