Xherdan Shaqiri i ka nja dy fjalë për serbët para ndeshjes me Zvezdën në Beograd

Xherdan Shaqiri është njëri prej njerëzve më të urryer në Serbi, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar ua kishte nxirë jetën serbëve në Kampionatin Botëror, i cili u mbajt verën që shkoi në Rusi pasi golin që e shënoi për Zvicrën ndaj Serbisë e festoi duke e formuar shqiponjën dykrenore, njëjtë siç bëri paraprakisht edhe Granit Xhaka.

Për këtë futbollisti nga Zhegra është i vetëdijshëm se çka e pret të mërkurën tjetër në Beograd, ku me ekipin e tij Liverpool do të zbarkojë për ta zhvilluar ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve ndaj Crvena Zvezdës.

Ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt pritet të vërshëllehet dhe të fyhet nga serbët, por ai nuk e ka asnjë problem. Është i fokusuar vetëm në fushën e blertë, nga e cila synon “t’i godasë” përsëri serbët.

“Sigurisht, dikush mund edhe të vërshëllejë, por unë nuk merrem me këto gjëra. Këtë ndeshje e shikoj si të gjitha të tjerat. Në fund, bëhet fjalë për një ndeshje futbolli. Është një lojë e madhe dhe duam ta fitojmë. Në sport nuk ka politikë”, ka thënë për “Liverpool Echo” mesfushori ofanziv nga Kosova.

Kombëtarja shqiptare e kishte parë tmerrin me sy vite më parë kur ishte përballur me Serbinë në Beograd.

Ndeshja ishte ndërprerë pasi huliganët serbë kishin përfunduar në fushë duke i sulmuar futbollistët kuqezi, me ç’rast Shqipëria e kishte fituar atë ndeshje në tavolinë.

Klubet serbe janë dënuar shpesh nga UEFA e nga FIFA për shkak të sjelljeve të tifozëve. Mbetet të shihet se çfarë “kanë përgatitur” ata për Shaqirin.

Sigurisht, çdo fyerje eventuale ndaj tij dënohet nga institucioni më i lartë i futbollit evropian.

Shaqiri nuk e di nëse do të luajë nga fillimi i ndeshjes ndaj Zvezdës të mërkurën mbrëma, në ndeshjen që do të luhet në Livepool, kurse pas një jave zhvillohet ndeshja e kthimit në kryeqytetin serb.

Sidoqoftë, ylli shqiptar është i vendosur ta bindë trajnerin Jurgen Klopp me cilësinë e tij dhe ta fitojë besimin e trajnerit gjerman për ta përsëritur një tjetër ndeshje siç bëri kundër Huddersfield. /Zëri/