Vetëvendosje paralajmëron protesta deri në ndaljen e projekteve të rrezikshme antishtetërore

Të shtunën që lamë pas, Lëvizja Vetëvendosje mbajti protestë kundër presidentit Hashim Thaçi me moton “Një popull si nënshtrohet një njeriu”.

Kësaj proteste iu përgjigj një numër i madh i qytetarëve, në mesin e të cilëve pati edhe deputetë, pjesëtarë nga shoqëria civile etj.

Por, lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar sërish protesta gjatë javëve në vijim nëse nuk ndalen projektet që ata i cilësojnë të rrezikshme për vendin.

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi. Kurteshi ka thënë se protesta e së shtunës dëshmoi gatishmërinë e popullit për të ndalë pazaret e Hashim Thaçit.

“Protesta ishte masive, dinjitoze, madhështore, paqësore dhe me porosi të qartë: Një Popull nuk i nënshtrohet një njeriu! Kjo protestë ka dëshmuar për gatishmërinë e popullit të ndalë pazaret e Hashim Thaçit me trojet kombëtare shqiptare; ka dëshmuar për shqetësimin dhe zemërimin e popullit me pushtetin, të cilin e konsideron të kriminalizuar; ka dëshmuar se pritjet popullore për zgjidhje institucionale po shterohen për shkak të ngufatjes të institucioneve shtetërore nga kasta pushtetore kriminale dhe se rrugët dhe sheshet e Kosovës e të Prishtinës do të shndërrohen në institucione legjitime”, ka thënë Kurteshi në një prononcim për Telegrafin.

Duke paralajmëruar mbajtjen e protestave të ardhshme, Kurteshi ka theksuar se “populli pret dhe duron, por nuk nënshtrohet”.

“Natyrisht do të vazhdojmë me protesta, ngase kjo kastë pushtetore i ka bllokuar, besa ka ngulfatur institucionet shtetërore. Mirëpo, kjo kastë ka bërë planet pa Popullin. Sheshet dhe rrugët e Kosovës janë institucionet legjitime të Popullit, kur institucionet bllokohen dhe kriminalizohen, ashtu si është gjendja tani e dy dekada, sidomos tani e disa muaj. Protestat e ardhshme, deri në ndaljen e këtyre projekteve të rrezikshme antishtetërore dhe antikombëtare, janë bërë domosdoshmëri e pashmangshme. Populli pret dhe duron, por nuk nënshtrohet”, u shpreh Kurteshi.

Lexo po ashtu:
[Të gjitha lajmet rreth protestës së 29 shtatorit] Të gjitha lajmet rreth protestës së 29 shtatorit
“]

Gjatë protestës të së shtunës përpos flamurit kombëtar u valëvitën edhe flamujt e 105 shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por jo edhe i Kosovës, gjë që nxiti edhe reagime e kritika në drejtim të Vetëvendosjes.

Lidhur me këtë, deputeti Kurteshi ka thënë se ka pasur edhe pjesëmarrës në protestë me flamurin e Kosovës. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë asnjë vendim për apo kundër bartjes së flamurit të Kosovës në protestë.

“Kritikat, e diku-diku edhe shpifjet e qëllimshme në lidhje me këtë çështje, janë vetëm përpjekje të mjera për të njollosur karakterin popullor dhe madhështinë e protestës. Sa për informimin e drejtë të publikut, ka patur edhe pjesëmarrës në protestë me flamurin e Kosovës. Ka qenë protestë e lirë popullore! Kush ka dashur, ka nxjerrë dhe valëvitur edhe flamurin e Kosovës. Askujt, në asnjë moment, nuk i është thënë asnjë fjalë për apo kundër bartjes apo valëvitjes së flamurit të Kosovës”, tha ai.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje! Nuk është marrë asnjë-kurrfarë vendimi në lidhje me këtë çështje. Në protestë nuk ka pasur asnjë kufizim të kësaj natyre. Dhe, pikërisht një liri e tillë veprimi, apo ta quaj ndryshe, mungesë e çfarëdo kufizimi të shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve, qoftë edhe me mbajtjen e flamurit/jve të Kosovës”, u shpreh Kurteshi.

Sipas tij, kufizimi i vetëm që mund të bëhet mund të jetë shfaqja e simboleve, veprimeve, fjalëve që drejtohen kundër të drejtave dhe lirisë së të tjerëve.

Ai falënderoi të gjithë ata që iu përgjigjën pozitivisht protestës së 29 shtatorit dhe me vendosmëri refuzuan lojën e rrezikshme, të dëmshme, antishtetërore e antikombëtare, me qëllim të copëtimit të trungut tokësor shqiptar të Hashim Thaçit. /Telegrafi/