Hoxha mirëpret takimin me delegacionin për vizat

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha gjatë ditës së sotme ka thënë se do të takohet me Grupin punues për Vizat (COWEB) raporton “Zeri.info”.

Hoxha përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” e ka mirëpritur takimin me këtë delegacion të Këshillit Evropian.

“Mirëpres takimin me COWEB gjatë qëndrimit në Kosovë dhe diskutimin për hapat e mëtejmë për procesin e liberalizimit të vizave. Do të shfrytëzojmë rastin që t’i njoftojmë anëtarët e COWEB-it, lidhur me reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme me theks të veçantë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përkushtimin e institucioneve tona për vazhdimin e reformave edhe pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian”, ka shkruar Hoxha.

Kujtojmë se ky delegacion për vizat ka për qëllim vëzhgimin nga afër të progresit të institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve të tjera që lidhen me liberalizimin e vizave./ZERI