Thaçi në SHBA lobon për ''korrigjim'' të kufijve
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në takime me liderët e vendeve tjera pritet të lobojë për idenë e tij për “korrigjim” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Me këtë rast krerët shtetërorë të Kosovës do të kenë mundësi të takohen me liderë të vendeve tjera.
LEXO EDHE: Grupi për Vizat nesër vjen në Kosovë
Në takimet bilaterale që do t’i ketë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në SHBA kreu i shtetit Hashim Thaçi pritet që si temë të diskutimit ta hapë edhe idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, gjegjësisht të kërkojë përkrahje lidhur me këtë çështje, shkruan më tutje "Zëri".
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët megjithatë mbeten skeptikë se kreu i shtetit do ta sigurojë këtë mbështetje, veçmas kur kihet parasysh fakti që disa shtete me ndikim si Gjermania e Britania tashmë janë deklaruar fuqishëm disa herë kundër këtij opsioni.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se kërkimi i përkrahjes së shteteve të botës mbi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë është absurde.
Sipas tyre, asgjë nuk mund të flitet jashtë vendit lidhur me këtë çështje përderisa Kuvendi nuk e aprovon një platformë, mbi të cilën do të mbështeten ata që e përfaqësojnë Kosovën në procesin e negociatave Kosovë - Serbi.
Thaçi merr pjesë në pritjen e Donald Trumpit
Presidenti Thaçi të dielën ka udhëtuar për në SHBA, ku do t’i prijë delegacionit kosovar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Në njoftimin zyrës së presidentit thuhet se në takimet bilaterale me liderë të vendeve tjera, Thaçi do të diskutojë për thellim të bashkëpunimit dhe për njohje tjera për Kosovën.
“Presidenti Thaçi, bashkë me Zonjën e Parë, Lumnije Thaçi, do të marrin pjesë në pritjen e përvitshme të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe Zonjës së Parë, Melania Trump. Gjatë qëndrimit në Nju-Jork presidenti Thaçi do të zhvillojë takime me homologë nga shtete të ndryshme të botës për të thelluar bashkëpunimin bilateral e duke rritur numrin e njohjeve shtetërore dhe të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit.
Delegacioni i Kosovës gjatë qëndrimit në Nju-Jork do të ketë takime të shumta bilaterale me liderë botërorë, përkatësisht me presidentë, kryeministra dhe kryediplomatë të shteteve të ndryshme.
Haradinaj në SHBA kërkon fuqizim ndërkombëtar të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në SHBA do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme të botës, me ç’rast ka deklaruar se atje do t’i prezantojë të arriturat e Kosovës.
“Javën që vjen do të qëndroj për vizitë zyrtare në SHBA, ku në fokus të agjendës do të jetë fuqizimi ndërkombëtar i Kosovës. Në Nju-Jork do të zhvilloj takime bilaterale me homologë dhe me delegacione ndërkombëtare që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me fokus prezantimi i të arriturave të Kosovës, anëtarësimi i vendit në organizatat ndërkombëtare, tërheqja e investimeve direkte në vend dhe tema të tjera me interes për Kosovën”, ka theksuar ai.
Krahas kësaj, për ta forcuar partneritetin me SHBA-në Haradinaj ka thënë se do të zhvillojë takime bilaterale me senatorë, me kongresistë dhe personalitete me influencë në Uashington.
Në SHBA pritet të diskutohet edhe për dialogun
Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog ka vlerësuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në takimet që do t’i ketë me krerët e shteteve të ndryshme të botës në SHBA do ta hapë edhe çështjen e dialogut, respektivisht idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë.
“Me siguri që liderët e shtetit tonë në takime, sidomos me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë etj, do t’i përmendin këto përpjekjet e tyre për ta arritur një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut. Ndoshta do të përmendet edhe ideja e presidentit Thaçi lidhur me korrigjimin e kufijve. Por ta shohim pastaj se cilat do të jenë mesazhet që do t’i marrin nga këto takime”, ka theksuar ajo.
Sipas Haxhollit, qëndrimi i Gjermanisë lidhur me idenë e korrigjimit të kufirit tashmë dihet se është kundër, ndërkohë ai i SHBA-së ende nuk është i kristalizuar.
“Momentalisht Gjermania është deklaruar kundër kësaj ideje. Sekretari Bolton ka deklaruar që e përkrah çdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë, por ende nuk ka ndonjë sinjal konkret nga SHBA-ja se a e përkrahin këtë ide”, ka theksuar ajo.
Ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve, absurde
Ndërkaq deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka konsideruar se ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë është krejtësisht absurde. Absurde po ashtu sipas tij është të kërkohet nga jashtë mbështetje mbi këtë ide.
“Është absurde së pari që të kërkohet përkrahje për korrigjim të kufijve. Krejt njerëzit, krejt shtetet luftojnë që t’i mbrojnë kufijtë e vet, andaj është absurde të mendojë dikush që të sigurojë përkrahje për ta korrigjuar territorin e vet. Kjo është e barabartë me tradhti”, ka deklaruar ai.
E teksa ka folur për zotimin e Thaçit për ta bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën deputeti i LDK-së ka thënë se po të mendohet ashtu siç bën Thaçi, atëherë i bie që Serbia është vetëdijesuar dhe po do që ta shpërblejë Kosovën me Luginën për t’i rregulluar raportet.
Kurse gjersa ka folur mbi udhëtimin e delegacionit kosovar në SHBA, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë se është detyrë e liderëve që të lobojnë për liberalizimin e vizave dhe për çështje të tjera me rëndësi për Kosovën.
“Asgjë konkrete nuk mund të flitet, sidomos sa i përket temës së këmbimit të territoreve para se Kuvendi ta aprovojë një platformë, mbi të cilën do të mbështeten ata që e përfaqësojnë Kosovën dhe ata që flasin për këtë temë kudo qoftë jashtë shtetit”, ka nënvizuar ai.
E rëndësishme, siç Kurteshi ka deklaruar, është që Thaçi nuk ka përkrahje e as legjitimitet, andaj çkado që ndodh jashtë vendit para se të ketë legjitimitet është e pavlerë. Zgjidhja e vetme në këtë situatë sipas Kurteshit mbetet organizmi i protestave.
Me një veprim të tillë LVV-ja do të synojë që t’i tregojë Thaçit se nuk është i autorizuar për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.
Ndërkohë, sipas njohësit të çështjeve politike Mazllum Baraliut, është mirë që në seancën vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dikush nga njerëzit e Kosovës të shkojë atje dhe të ketë rastin për të biseduar me liderë të ndryshëm për çështje që janë me interes vital për Kosovën.
“Shpresa ime është shumë e vakët. Nuk kam bindje dhe shpresë duke u bazuar edhe në produktet, në performancën që kanë. Kam frikë se ata mund të arrijnë ndonjë rezultat atje dhe mund të ketë ndonjë dobi Kosova, përveç shpenzimeve të mëdha që mund t’i ketë. Jam shumë skeptik që vizita e tyre do të sjellë diçka të rëndësishme për Kosovën”, është shprehur ai.