Ia pa hairin largimit nga Man United

Memphis Depay thotë se largimi i tij nga Manchester Unitedi e ka bërë atë një lojtar më të mirë. Reprezentuesi holandez, i cili kishte qenë pjesë e “Djajve të Kuq” për një vit e gjysmë, nuk kaloi një periudhë edhe aq të këndshme në “Old Trafford”. Por ai ka shpërthyer pas transferimit te Lyoni në janarin e vitit 2017, duke realizuar 28 gola dhe 27 asistime

Sulmuesi i Lyonit, Memphis Depay, beson se ai është bërë një lojtar shumë më i mirë pas largimit nga Manchester Unitedi, shkruan sot gazeta Zëri.

Depay, i cili ishte transferuar në “Old Trafford” nga Louis van Gaal në vitin 2015, nga PSV Eindhoven për 27.9 milionë funte, kaloi 19 muaj të vështira te gjigandi anglez, duke regjistruar shtatë gola dhe gjashtë asistime në 53 paraqitje.

Ardhja e Jose Mourinhos në krye të stolit të “Djajve të Kuq” bëri që Depay të ketë edhe më pak minuta me 24-vjeçarin, që ishte paraqitur vetëm katër herë në Premierligë para se të largohej në janar në drejtim të Lyonit për 21.7 milionë funte.

Që prej transferimit te Lyonit Depay është kthyer në një lojtar titullar dhe ka shënuar 28 herë në 74 paraqitje.

“Të gjithë e dinë që historia ime dhe e Manchester Unitedit nuk ishte e suksesshme dhe unë jam mjaft i lumtur kështu si jam sot”, deklaroi reprezentuesi holandez.

“Mund të shikoj prapa dhe të them që nuk doja të shkonte ashtu, askush nuk e deshi atë, por gjërat ndodhën dhe unë jam bërë një lojtar edhe më i mirë tani. E ndiej në ndeshje, dua të them të gjithë mund ta shohin këtë gjë gjithashtu. Pas një sezoni nuk mund ta gjeja veten në skuadër. Unë isha ende i ri, nuk kisha shumë mundësi, por duhet të them që në sezonin e parë nuk e shfaqa kualitetin që mendoja”, shprehet ai.

Golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, gjatë një interviste në javën e kaluar zbuloi se Depay nuk i ndiqte këshillat e tij derisa kishte shkuar njëherë për të luajtur me ekipin rezervë me makinën e tij të tipit “Rolls Royce”, duke mbajtur një kapele të kaubojit dhe një xhaketë të kuqe të lëkurës pas një paraqitjeje të dobët ndaj Stoke Cityt.

Depay i pranoi komentet e Rooneyt, por thotë se mbeti në mëdyshje në njërën prej fjalive të Rooneyt.

“Disa njerëz nuk mund t’i kuptojnë shakatë dhe unë dhe Wayne jemi shokë shumë të mirë. Unë e kuptoj se çfarë deshi të thotë ai me këtë gjë dhe kaq. Kur e dëgjova unë thjesht po e pyesja veten, ‘unë nuk kam xhaketë të kuqe të lëkurës’, nga qindra xhaketat unë nuk kam xhaketë të kuqe të lëkurës.

“Kjo i përket së kaluarës dhe unë jam një njeri që i pëlqen ta ketë vëmendjen dhe që më pëlqejnë gjërat e mira, por kjo nuk do të thotë që s’mund të isha më i mençur. Jam pjekur më shumë. Ju kaloni përvoja të ndryshme në jetë dhe jashtë fushës”, përfundoi Depay. /Zëri/