Orari i padrejtë për FC Prishtinën dhe Gjilanin

Ditë shumë të lodhshme dhe të disfavroshme për FC Prishtinën, por edhe për Gjilanin, shkruan zeri.info

Çdo tri ditë nga një lojë për këto dy ekipe. Skuadra e Mirel Josës të shtunën që lamë pas e zhvilloi ndeshjen e xhiros së pestë kundër Ferizajt, kurse të mërkurën në kryeqytet do ta luaj ndeshjen e mbetur të xhiros së parë kundër një kundërshtari shumë të fortë, Gjilanit.

Dhe, menjëherë pas tri ditësh do ta zhvillojë derbin e xhiros së gjashtë të Superligës së futbollit si mysafire e kampiones në fuqi, Dritës.

Edhe Gjilani ka luajtur në fundjavën e kaluar, luan në këtë mesjavë për të vazhduar me lojë në fundjavën e ardhshme.

Në fakt, xhiroja e gjashtë nis të premten me ndeshjen Ballkani – Trepça ’89. Kurse, të shtunën zhvillohen tri takime tjera: Liria – Llapi, KEK-u – Drenica dhe derbi Flamurtari – Feronikeli. Ndërsa, derisa Drita e pret Prishtinën, Gjilanin e pret udhëtimi i vështirë në Ferizaj.

Në një kampionat si ky që po zhvillohet në Kosovë edhe detajet më të vogla luajnë rol./Zëri