Nishevci i pesti, Karaqi i shtati
Herolind Nishevci nuk ka arritur të fitojë medalje në Karate 1 të Premierligës “Berlini 2018”, shkruan zeri.info
Por, megjithatë karateisti kosovar i ka fituar pikët e para olimpike për shkak se e ka zënë vendin e pestë në kategorinë +84 kg. të kësaj gare.
Në luftë për medalje të bronztë Nishevci ka humbur përballjen me kroatin Angelo Kvesiç. Kurse, deri te vendi i pestë karateisti më i mirë i Kosovës i është dashtë t’i mposhtë katër kundërshtarë.
Ai është njëri prej shpresave të Kosovës për Olimpiadën “Tokio 2020”. Paraqitje dinjitoze në Gjermani pati Alvin Karaqi.
Ai i mposhti tre kundërshtarë, por u ndal në çerekfinale, ku u eliminua nga japonezi Ryutaro Araga. Karaqi e zuri vendin e shtatë në kategorinë -84 kg.
Pa pikë olimpike nuk kanë mbetur as Orges Arifi i kategorisë -60 kg. dhe Fortesa Orana e kategorisë +68 kg, të cilët e kanë shijuar nga një fitore.
Kurse, Elhami Shabani, Gresa Zhitia dhe Adelina Rama nuk mundën ta kalojnë as rrethin e parë.
Karate është bërë sport olimpik dhe reprezentuesit tanë janë në kërkim të pikëve për pjesëmarrje në Olimpiadën e vitit 2020./Zëri